Bota
Tragjedia në tren: Reagimi shpërthyes i të dashurit të vajzës së vrarë trondit rrjetin

Charlotte po tronditet ende nga krimi makabër që i mori jetën 21-vjeçares ukrainase Iryna Zarutska. Për herë të parë pas tragjedisë, partneri i saj, Stanislav “Stas” Nikulytsia, ka thyer heshtjen dhe ka reaguar publikisht.
Në një postim prekës në Instagram, Nikulytsia publikoi një foto me Irynën, duke vendosur një emoji zemër të thyer, si shenjë zie dhe dhimbjeje. Në “story”-t e tij, ai ka shpërndarë edhe video kritike ndaj gjyqtares Teresa Stokes – e cila vetëm pak muaj më parë kishte liruar nga burgu autorin e krimit, Decarlos Brown.
Brown, një recidivist me mbi një duzinë arrestimesh në të kaluarën, u lirua në janar me një “premtim me shkrim” për t’u paraqitur në gjykatë – vendimmarrje kjo që ka shkaktuar indinjatë masive në opinionin publik amerikan, sidomos pas ngjarjes së 22 gushtit, kur Iryna u vra gjatë një udhëtimi me tren elektrik në Charlotte.
Nikulytsia, i cili kishte një vit që bashkëjetonte me Irynën, në nekrologji u përshkrua si “partneri i saj i jetës”. Në shenjë homazhi, ai ka ndryshuar edhe biografinë e tij në Instagram duke shtuar një kërpudhë – simbolin e preferuar të të ndjerës – dhe një zemër të thyer.
Familja e Zarutskës, e cila kishte ikur nga lufta në Ukrainë në vitin 2022, deklaroi se është e shkatërruar nga humbja:
“Ajo erdhi këtu për paqe dhe siguri, por jeta e saj iu mor në mënyrën më të tmerrshme.”
Kjo ngjarje ka ringjallur debate të ashpra mbi reformën e sistemit të drejtësisë dhe sigurinë e udhëtarëve në transportin publik të Charlotte. Tragjedia e Iryna Zarutskës është kthyer në një thirrje kombëtare për ndryshim dhe drejtësi.
















