Lajme
Situata me Myftinën e Tetovës, Iniciativa për Reforma: BFI po krijon konfuzion

Iniciativa për Reforma në BFI të RMV-së ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të Bashkësisë Fetare Islame, duke e cilësuar atë si një qëndrim formal që nuk i adreson problemet reale të besimtarëve dhe institucioneve islame.
“Kjo mënyrë veprimi, ku herë përmendet Shaqir Fetai e herë ‘faktorë’ anonimë, ngre dyshime serioze: vallë kush realisht po e udhëheq Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së?”, theksohet në reagim.
Sipas Iniciativës, mungesa e transparencës dhe paqartësitë e krijuara nga Rijaseti jo vetëm që provokojnë, por paraqesin edhe rrezik për unitetin e muslimanëve në vend. Ameti thekson se çdo emërim i bërë nga Shaqir Fetai është i paligjshëm dhe i pavlefshëm nga pikëpamja kushtetuese, ndërsa zgjidhja e vërtetë duhet të vijë nga respektimi i ligjshmërisë dhe institucioneve legjitime.
Në reagim vlerësohet tërheqja e ish-Myftiut, e cila shihet si një hap pozitiv që hap rrugën për reflektim dhe për një proces të drejtë brenda BFI-së.
“Iniciativa për Reforma mbetet e vendosur të luftojë për një BFI të drejtë, transparente dhe të lirë nga ndikimet e ‘faktorëve’ të paqartë. Besimtarët meritojnë sqarim të plotë, jo mjegullim dhe huti”, thuhet në fund të reagimit, ku shtohet lutja për vetëdijësim, udhëheqësi të mençur dhe përmirësim të gjendjes në institucion.















