SKENA
Shuhet personaliteti i shquar

Arti shqiptar është në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare sopranoja e njohur Luiza Çako (Papa), një figurë e rëndësishme e muzikës klasike shqiptare dhe bashkëshortja e legjendës së operës, Gaqo Çako.
Luiza Çako ka lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike, të ndërtuar mbi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme. Ajo është vlerësuar për zërin e saj të veçantë dhe për interpretimet plot ndjeshmëri në skenë, duke kontribuar në vepra të rëndësishme të repertorit operistik, si atij shqiptar, ashtu edhe ndërkombëtar.
Një nga momentet më prekëse pas ndarjes së saj nga jeta ishte reagimi i djalit të saj, kantautorit të njohur Pirro Çako. Ai, i cili ka trashëguar talentin muzikor nga prindërit e tij, ka shprehur dhimbjen e tij në rrjetet sociale duke publikuar një fotografi të vjetër nga fëmijëria, ku shihet në krahët e nënës së tij. Mesazhi i thjeshtë, por plot emocion, “Lamtumirë, nëna ime”, ka prekur zemrat e ndjekësve dhe artistëve, duke shprehur trishtimin e thellë për këtë humbje të madhe.

















