SKENA
Shuhet legjenda e kinemasë

Aktori dhe regjisori i njohur, Robert Redford, ka ndërruar jetë të martën në moshën 89-vjeçare. I njohur si një nga figurat më karizmatike të Hollywood-it, Redford ishte një artist i shumëanshëm, i cili spikati si aktor, regjisor, por edhe si ambientalist i përkushtuar.
Karriera e tij shkëlqeu me role në filma ikonikë si “Butch Cassidy and the Sundance Kid” dhe “All the President’s Men”. Përveç aktrimit, ai fitoi një çmim “Oscar” për regjinë më të mirë me filmin “Ordinary People”, duke dëshmuar talentin e tij edhe pas kamerës.
Pasioni i tij për kinemanë e pavarur e shtyu të themelonte Institutin Sundance, një organizatë që mbështet kineastët e rinj dhe që njihet për Festivalin e Filmit Sundance, një platformë e rëndësishme për kinemanë botërore.
Përtej artit, Redford ishte një zë i fuqishëm për çështjet mjedisore. Që nga viti 1961, kur u zhvendos në Utah, ai iu përkushtua ruajtjes së natyrës dhe peizazheve të Perëndimit Amerikan.

















