Shqipëri
Sali Berisha nxjerr pamjet nga qelia të Vangjush Dakos: Ja çfarë bën

Një foto e publikuar së fundmi nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngjallur debate dhe reagime të shumta. Në foton e postuar në rrjetet sociale, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shfaqet në qeli me një telefon në dorë, në shoqërinë e drejtorit të Taksave në Durrës, Roni Shqipo.
Berisha e ka shoqëruar foton me komentin: “Pershendetje Dr, Vangjush Dako sebashku me drogaxhiun Ron Shqopa ne qeli dhe me celular ne dore”. Ai e cilëson trajtimin e Dakos si “special”, duke theksuar se kushtet në dhomën e tij janë larg atyre të një qelie të zakonshme. Në foto duken një krevat i rehatshëm, perde dhe hapësirë e mjaftueshme për vizita.
Rikthimi në qeli dhe dënimi
Vangjush Dako u rikthye në qeli më 21 shtator, pasi Apeli i GJKKO-së konfirmoi dënimin e tij me 2 vite e 8 muaj burg. Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi. Pas vendimit të Apelit, Dako shfaqi përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit.
Megjithatë, Dako pritet të vuajë vetëm 6 ditë burg, pasi një pjesë të dënimit e ka kryer në paraburgim, ndërsa 4 ditë të tjera i kaloi në spital. Ai u arrestua fillimisht më 6 qershor 2023, por u lirua në shkurt 2024 për shkak të kalimit të afatit të paraburgimit dhe qëndroi në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Akuzat dhe shpërdorimi i detyrës
Dako u dënua për shpërdorim detyre në dy raste. Rasti i parë lidhet me ndërtimin e një pallati në Durrës në vitin 2012, i cili u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Hetimet zbuluan se leja e ndërtimit ishte lëshuar tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe ishin futur banorët, duke legalizuar katër kate pa leje.
Rasti i dytë ka të bëjë me abuzimin në tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, i cili i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Përveç dënimit me burg, Vangjush Dakos i është hequr edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

















