Connect with us

Shqipëri

Reagon Erogen Brajoviç, shënjestra e atentatit të sotëm: Distancohem plotësisht nga…

Publikuar

Pas atentatit tronditës të ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa vetë Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri u plagosën, ky i fundit ka reaguar për herë të parë nga spitali ku po kurohet.

Në një deklaratë të dhënë për VoxNews, Erogen Vaso (i njohur edhe si Brajoviç) ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e dy viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt pabesie” që i mori jetën dy qytetarëve të ndershëm, miqve të tij të ngushtë.

Deklarata e plotë e Erogen Vaso (Brajoviç):

“Unë, Erogen Millan Vaso (Brajoviç), e bëj këtë reagim për median dhe opinionin publik. Në këto momente të vështira, jo vetëm për mua, por sidomos për familjarët e dy miqve të mi, që ishin bashkë me mua atë mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti.

Dora e pabesisë te një vrasësi e shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku dhe për mua personalisht është një dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet! Qofshin në paqe me Zotin Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre!

Gjithashtu, i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje. Distancohem plotësisht nga informacionet që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër.”

Vaso, i cili është shpallur si një nga objektivat e këtij atentati, thekson se nuk ka asnjë lidhje me grupe kriminale, përfshirë ato që janë përmendur në media. Ai kërkon që autoritetet të zbardhin sa më shpejt motivet e këtij sulmi tragjik që i mori jetën dy personave dhe la pas plagë të mëdha për familjet dhe gjithë qytetin.

Kush është Erogen Vaso (Brajoviç)?

Në reagimin e tij, ai shton se është sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të të cilave i ka trashëguar nga babai i tij, i cili gjithashtu ka qenë sipërmarrës deri në fund të jetës. Ai shton gjithashtu se babai i tij ishte ish-futbollist i njohur i Shkodrës dhe i kombëtares shqiptare.

Ngjarja në fjalë vazhdon të tronditë opinionin publik dhe hetimet janë ende në vazhdim për të identifikuar nëse autori Ragip Gila ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë. Dëshmia e kamarieres së plagosur, e cila ka deklaruar se ka parë dy persona në motor, pritet të ndryshojë dinamikën e hetimeve.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK