Shqipëri
Qeveria e re/ Zbardhen disa nga POROSITË e Ramës për socialistët

Mëngjesi i sotëm ka nisur me një mbledhje me dyer të mbyllura të kryeministrit Edi Rama me grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit. Sipas burimeve të Newsbomb.al, kryeministri u ka dhënë disa porosi të rëndësishme deputetëve dhe ministrave të tij për mandatin e katërt.
Rama ka kërkuar koordinim të plotë për paraqitjet në media, duke urdhëruar që të mos flasin nëpër televizione pa u konsultuar. Ai gjithashtu u ka kërkuar atyre të shmangin dhënien e intervistave në rrugë me gazetarët, për të mos u kthyer në “objekt diskutimesh apo memesh në rrjetet sociale”.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte kërkesa e Ramës që asnjë prej tyre të mos mungojë në mbledhjet e grupit parlamentar, përveç rasteve me arsye madhore. Këto porosi vijnë në linjë me deklaratat e tij të mëparshme në Asamblenë e PS-së, ku theksoi se nuk ka kohë për të humbur dhe se pret përkushtim maksimal nga të gjithë.
















