Connect with us

Religjion

Përse në xhami çdo minutë na duket i gjatë, ndërsa në kafene jo?

Publikuar

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit, të dashurin e Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër, e këshilloj veten time dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.

Së fundi, në një portal lexova se kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës ipeshkvore të Italisë, ka udhëhequr një meshë që ka zgjatur shtatë orë, ku janë lexuar të gjithë emrat e fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës.

Le të mendojmë pak: shtatë orë ka zgjatur mesha në të cilën janë lexuan emrat e fëmijëve palestinezë të vrarë.

Tani, le ta shohim veten tonë, neve muslimanëve, neve këtu.

A mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhte sot në këtë xhami sikur të zgjatej kjo hutbe vetëm dy orë, kur e dimë se ka nga ata që fillojnë të bërtasin “amin”, të shprehin pakënaqësi e të kundërshtojnë, vetëm pse imami e zgjat hutben dhjetë minuta më shumë se zakonisht?

Ne shprehim pakënaqësi për hutben, për ligjëratën (va’zin), për namazin, për duanë, për dhikrin… vetëm pse zgjasin disa minuta më shumë, sikur jemi duke u ngutur për diku. Por kur është fjala për kafenenë, për ndeshjen (sportive), për koncertin, për dasmën, apo për tubimin politik të atyre që na kanë premtuar diçka nëse i mbështesim pas zgjedhjeve – aty nuk i numërojmë as orët. Përkundrazi, shpeshherë dëshirojmë që të zgjasin sa më shumë.

Pse është kështu? Pse në xhami, në shtëpinë e Allahut, në vendin më të mirë në mbarë botën, minutat na duken si orë, ndërsa në vendet ku nuk ka asnjë të mirë – madje shpeshherë ka edhe të këqija – orët na kalojnë si disa sekonda?

Pse është kështu?

Sepse, vëllezër, ne nuk jemi aq besimtarë të mirë sa mendojmë. Gjuha thotë: “Unë besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij”, por zemra, shpirti dhe veprat nuk e dëshmojnë këtë.

Sepse, si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin që Allahu i Plotfuqishëm na thotë se nëse e përmendim emrin e Tij në xhami, pa na larguar nga kjo blerja e shitja apo ndonjë interes tjetër i kësaj bote, do ta fitojmë shpërblimin e Tij – kurse ne, për një ballë bari largohemi nga xhamia, e lëre më për gjëra më të mëdha.

Si mund ta shpjegojmë ndryshe që i Dërguari (savs) na thotë se xhamitë janë vendet më të dashura tek Allahu, kurse ne, që themi për veten se jemi muslimanë, parapëlqejmë të qëndrojmë kudo tjetër më gjatë sesa në xhami!

Si mund ta shpjegojmë ndryshe që i Dërguari (savs) ka thënë se nëse do ta dinim vlerën e rreshtit të parë në namaz, do të hidhnim short për të qenë aty, kurse ne përsëri parapëlqejmë më shumë të rrimë në prapavijë, se sa në rresht të parë!

Si mund ta shpjegojmë ndryshe që i Dërguari (savs) ka thënë se na shkruhet sevapi sikur jemi në namaz (ku të gjithë e dimë se sa është shpërblimi për namaz) që nga momenti kur marrim abdest e deri sa të kthehemi nga xhamia, ndërsa ne megjithatë mezi presim të dalim nga xhamia, duke u shtyrë e përplasur në derë sikur dikush don të na therë brenda!

Si mund ta shpjegojmë ndryshe që i Dërguari (savs) ka thënë se vetëm dy rekatët e sunetit të sabahut janë më të vlefshëm se gjithçka që është në këtë botë, e lëre më farzi i sabahut me xhemat – ndërsa nga ne tre mijë veta, në sabah gjenden vetëm dhjetë!

Si mund ta shpjegojmë ndryshe që Allahu i Plotfuqishëm dhe i Dërguari i Tij na thonë se kur lexohet Kurani ose kur mbahet hutbeja duhet të heshtim e të dëgjojmë nëse duam shpërblim, por ne përsëri flasim e flasim, pa iu dhënë rëndësi fjalëve të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij!

Si mund t’i shpjegojmë ndryshe të gjitha këto fjalë të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, të cilat na garantojnë shpërblim të madh ose na shpëtojnë nga ndëshkimi i madh, ndërsa ne vazhdojmë të themi se besojmë, por veprojmë vepra që janë larg shpërblimit dhe afër ndëshkimit!

Fudajl ibn ‘Ijadi ka thënë: “Besimtari mbjell palma, por gjithë kohën frikësohet se mos i japin gjemba, ndërsa hipokriti mbjell gjemba, por shpreson që t’i japin hurma.”

Frikësohem, vëllezër, se jemi prej atyre që mbjellin gjemba, por shpresojnë hurma.

Këtë hutbe nuk do ta zgjas më tej, jo nga frika e pakënaqësive, por sepse edhe i Dërguari (savs) nuk e zgjaste. Sepse mes nesh ka të sëmurë dhe të atillë që nxitojnë të kthehen në punët e tyre për t’i ushqyer familjet e veta. Por dëshiroj, që të gjithë ne ta ulim kokën dhe të mendojmë në ditët në vijim për këtë hutbe; të mendojmë për fenë tonë; për sjelljen tonë brenda dhe jashtë xhamisë; të mendojmë për arsyen pse vijmë në xhuma, në xhami, në varrim – a është për njerëzit, për zakonin, për mërzinë, për Allahun, për shpërblimin… Le të mendojmë se a janë fjalët tona në harmoni me zemrën dhe me veprat tona.

Një dijetar islam ka thënë: “Nëse dëshiron ta dish gjendjen e zemrës sate, shiko ku qëndron më shumë dhe çfarë është më e dashur për të.”

Le të shikojmë edhe ne!

I Dërguari (savs) ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe çdo njeriu i takon vetëm ajo që ka pasur për qëllim.”

Allahu i Plotfuqishëm na udhëzoftë në Rrugën e drejtë! Amin!

Përshtati në shqip:
Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK