Kosovë
Përplasje fatale – Vdesin dy persona, plagosen dy të tjerë

PRISHTINË, KOSOVË — Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Zajm, ku si pasojë e përplasjes fatale kanë humbur jetën dy persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00.
Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë tre mjete: një kamion, një kombi dhe një veturë. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që dy persona të ndërrojnë jetë në vendngjarje. Ekipi mjekësor që mbërriti menjëherë, konstatoi vdekjen e tyre.
Gjithashtu, dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.















