Lajme
Osmani sonte në Çair: Do ta shpëtojmë nga kaosi dhe do ta kthejmë dinjitetin

Për shkak se ju jeni lagja ime, këtu është familja ime, fqinjët e mi, njerëzit me të cilët jam rritur, dhe kur ke mbështetjen e atyre me të cilët je rritur, të njohin ADN-në, të njohin familjet, të njohin në çdo formë, nuk ka derë më të madhe, atëherë jam mirënjohës dhe do të jem mirënjohës gjatë gjithë jetës time për këtë mbështetje që ma jepni sot. Me këto fjalë Bujar Osmani e ka nis fjalimin sonte para aktivistëve në Këshillin vendor “6 Nëntori” në Çair, ndërsa ka shtuar se asnjë hap në jetën e rin politike nuk do ta bënte po të mos e kishte mbështetjen e këtij Këshilli vendor.
“Vetëm para një viti dola dhe kërkova mbështetjen tuaj për të udhëhequr shtetin, për president shteti, me pothuajse të njëjtën punë politike, bile me një parti më të madhe se kjo. Qytetarët e Çairit e treguan atë, për shkak se gara nuk ishte në Çair mes meje dhe tani mikut tim, zotit Taravari. Gara në Çair ishte mes meje dhe kundërkandidatit të tanishëm, mes nesh dhe atyre. Dhe ju, qytetarët e Çairit, dhatë mesazhin e qartë, përcaktimi ishte i qartë. Dalja ishte e thellë, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo cep. Ju dhatë mesazhin se ende më besoni mua dhe nëse më keni besuar për të udhëhequr shtetin, nuk kam asnjë dilemë se ju keni besim në mua për të udhëhequr Komunën e Çairit. Vëllezër, tani qëndron mbi atë mesazh. Pikërisht për shkak të atij mesazhi që ma latë vitin e kaluar, kam dalë të kërkoj mbështetjen tuaj. Jo për të udhëhequr Çairin, por për t’i shërbyer Çairit. Për shkak se Çairi është shtëpia jonë e vetme. Ne nuk kemi shtëpi tjetër, as unë dhe as ju. Çairi është identiteti ynë”, tha Osmani.
Çdo kujtim që kam, që nga dita që kam lindur, i lumtur ose i hidhur, është këtu në Çair, tha më tej ai.
“Dhe prandaj e ndjej si obligim dhe jam krenar që kam mundësinë të kërkoj mbështetjen tuaj për t’i shërbyer Çairit. E shtëpia jonë, motra dhe vëllezër, nuk është duke shkuar në rrugë të duhur. Me të gjithë parametrat të cilët i kemi analizuar, kjo shtëpi jonë është duke shkuar drejt kolapsit total. Për shkak se për 20 vite është punuar pa vizion dhe pa plan. I vetmi plan, për fat të keq, ka qenë interesi, dhe prandaj jemi në këtë situatë. Mungesë e qarkullimit normal, mungesë parkingjesh, papastërti e madhe, kaos i madh urbanistik, ndërtime pa leje gjithandej, mungesë planesh. E në këtë kontekst, kur merr parasysh popullatën prej 80.000 banorëve, 80.000 anëtarëve tanë të familjeve që jetojnë në 3.4 km a 4km, dhe numri rritet çdo ditë, numri i veturave rritet çdo ditë, kaosi urban rritet çdo ditë. Fundi i Çairit për disa vite është kolaps total i funksioneve bazike”, tha Osmani.
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim foli edhe për mungesën e transparencës së Komunës, ndërsa akuzoi se mungojnë funksionet bazë të Komunës.
“Sot, Çairi është komuna me numrin më të madh të vrasjeve për shkak të kaosit urban, për shkak të mungesës së kushteve. Sot Çairi është komuna më jo transparente dhe e kriminalizuar në qytetin e Shkupit si mënyrë të udhëheqjes. Dhe prandaj, sot dola para jush dhe pashë se kjo gjendje është alarmante. Dhe ditën e parë, në mandatin e kryetarit të komunës, ne duhet të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. Gjendje krize në qytet. Për punën e papastërtisë, për punën e ndërtimeve paleje dhe për punën e korrupsionit”.
Osmani paralajmëroi se për punën e deritashme të Komunës, do të nis që ditën e parë auditim të çdo ndërtimi dhe çdo leje ndërtuese.
“Do bëjmë auditim, revizion të çdo ndërtimi që është aktiv, të çdo lejeje të marrë, të çdo procedure që është atje në urbanizëm. Dhe i themi boll më. Boll më, për shkak që njerëzit jemi duke i torturuar në jetën e përditshme. Dhe kjo është obligimi ynë që ta ndalojmë. Pastaj, Çairi është komuna më jo transparente në qytetin e Shkupit, ku nuk dihet ku shkojnë shpenzimet. 720 kontrata fiktive deri në 50.000 denarë në muaj. Për njerëz, aktivistë partie të cilët kanë obligim të mbajnë partinë. Ne nuk do mbajmë partinë me taksat tona. Dhjetëra mijëra euro që paguhen për kafe të funksionarëve të partisë paguhen nga paratë e qytetarëve. Ato janë paratë tona. Ato janë paratë që i hiqni tani prej bukës suaj. Prej fëmijëve tuaj…”, tha Osmani.
















