Shqipëri
Një tjetër kryetar bashkie drejt burgut!

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Ersekës, Erion Isai. Sipas burimeve pranë SPAK, Isai akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike”.
Kjo nuk është hera e parë që Isai përballet me drejtësinë. Më 15 janar të këtij viti, ai u paraqit në SPAK për të dhënë sqarime shtesë mbi një hetim për tenderat e zhvilluar gjatë vitit 2023. Ai i tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni të detajeve, por më vonë u zbulua se ndaj tij rëndonte një tjetër kallëzim për pabarazi në tendera, shpërdorim detyre dhe korrupsion, i bërë nga avokati Esmerald Xhafa.
Hetimet lidhen kryesisht me dy procedura prokurimi:
- Tenderi për “rikonstruksionin e digës së rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimin e pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, viti 2023”.
- Procedura e prokurimit “rikonstruksion i linjave të jashtme dhe të brendshme të rrjetit të ujësjellësave të fshatit Borovë, Taç dhe Mësiçkë, Bashkia Kolonjë”.
Isai ishte marrë në pyetje në SPAK edhe në maj të vitit 2023, po ashtu për një tender rruge. Për momentin, nuk janë dhënë detaje të tjera mbi masën e sigurisë apo hapat e ardhshëm të procesit gjyqësor.

















