Shqipëri
“Një grua, kandidate e PD për kryetare bashkie në Tiranë?”, gazetari zbulon emrin

TIRANË — Gara për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës po merr formë, ndërsa gazetari Arbër Hitaj ka zbuluar emrin e përfolur për kandidate nga Partia Demokratike. I ftuar në një emision televiziv, Hitaj tha se po flitet për Edlira Çepanin, bashkëshorten e deputetit të ndjerë Gert Bogdani. Sipas tij, kjo do të sillte një duel “zonjash” mes Çepanit dhe kandidates së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, duke garantuar një fushatë të qetë e qytetare.
Megjithatë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, mohoi që partia të ketë vendosur një emër. Ai theksoi se PD, ndryshe nga Partia Socialiste, që sipas tij funksionon si “bunker”, po ndjek një proces demokratik vendimmarrjeje. “Ti ke një dëshirë, dikush tjetër ka një dëshirë. Në PD nuk funksionon si tek bunkeri i Rilindjes… ka diskutime, propozime, vendimmarrje,” tha Noka, duke shtuar se emri do të vendoset pas konsultimeve me aleatët dhe opozitarët e tjerë.
Deklarata e Nokës shkaktoi debat në studio, ku moderatori Endri Xhafo dhe analistët e pranishëm theksuan rëndësinë e shpalljes sa më parë të emrit të kandidatit, sidomos duke pasur parasysh faktin që ish-kryebashkiaku Erion Veliaj është arrestuar që në shkurt. “Duhet të dilni me një qasje, zgjedhjet mund të jenë në nëntor,” u shpreh njëri prej analistëve, ndërsa Xhafo shtoi se PD-ja duhet të ishte përgatitur më herët për këtë situatë.















