Shqipëri
Ngjarje e rëndë, humb jetën një person, autori në kërkim

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bjeshkën e Pojanës, në zonën e Tropojës, ku një 79-vjeçar ka humbur jetën pasi është zënë poshtë nga një pemë e prerë. Aksidenti fatal ndodhi kur një 39-vjeçar po priste pemë dhe viktima, i identifikuar me inicialet M.K., ndodhej aty pranë.
I moshuari u dëmtua rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Tropojës, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetonte. Policia e Tropojës ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin me inicialet B.Q., banues në Shipshan, i cili u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve po punojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik dhe për të kapur autorin. Ky rast nxjerr në pah rreziqet e punës në pyje, veçanërisht kur nuk ndiqen masat e nevojshme të sigurisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë shpallën në kërkim shtetasin B. Q., 39 vjeç, banues në Shipshan, pasi duke prerë pemë në bjeshkën e Pojanës, dyshohet se një pemë ka rënë mbi shtetasin M. K., 79 vjeç, i cili është dëmtuar dhe për pasojë ka humbur jetën në spital. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi sot policia.
















