Connect with us

Kosovë

Nga Pakistani në Kosovë, ja me cilat vende SHBA suspendoi Dialogun Strategjik

Publikuar

Përveç me Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar dialogun strategjik me shtete si Pakistani, Rusia dhe Gjeorgjia.

Vendimi i SHBA-ve, që u njoftua të premten përmes llogarisë së Ambasadës Amerikane në Facebook, thotë se “Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë kujdestare”.

Ambasada shton se veprimet e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe pasigurinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta”.

Dialogu Strategjik është një proces që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht Departamenti Amerikan i Shtetit zhvillon me vende të ndryshme të botës. Synimi i tij është avancimi i marrëdhënieve bilaterale. I njëjti përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve të cilat zhvillohen ose në Washington ose në vendin përkatës me të cilin zhvillohet ky dialog.

Suspendimi i bisedimeve të tilla nga pala amerikane përbën një sinjal të fuqishëm diplomatik për papajtueshmëri e pakënaqësi me nivelin e partneritetit me shtetin të cilit ia drejton.

Cilat janë shtetet me të cilat SHBA-ja ka suspenduar bisedimet strategjike?

Në vitin 2011, një agjent i kontraktuar i CIA-s me emrin Raymond Davis u arrestua nga autoritetet e Pakistanit, të cilat nuk pranonin t’i jepnin imunitet diplomatik. Siç shkruhet në një artikull të prestigjiozes, The Conversation, në maj të vitit 2011, administrata e Barak Obamës suspendoi të gjitha bisedimet e nivelit të lartë me Pakistanin.

Në vitin 2022, vetëm dy ditë pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, SHBA-ja pezulloi diskutimet strategjike me Rusinë për stabilitet, siç shkruhet në një artikull të Asosacionit të Kontrollit të Armëve, një organizatë jo-qeveritare me renome në Washington.

Në nëntor të vitit 2024, SHBA-të vendosën suspendimin Dialogut Strategjik edhe me Gjeorgjinë. Kjo për ta shprehur pakënaqësinë me vendimin e këtij vendi për pauzimin e përpjekjeve për inkuadrim në Bashkimin Evropian. Madje, kryeministri gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, atë kohë e cilësonte vendimin amerikan si “as të lirë e as të drejtë”, raportonte Politico.

Marre nga Voxkosova

NA NDIQ NË FACEBOOK