Connect with us

Religjion

NËSE VEPRAT E MIA TË MIRA MBIPESHOJNË, UNË DO TË SHPËTOJ

Publikuar

 “Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shëmbëllen shiut që Ne e lëshojmë nga qielli e me të përzihet toka dhe bën bimë, me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe, kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelur a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmën. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.” (Junus, 24)

Allahu i Lartmadhëruar thotë se ne jemi nxjerrë nga dheu dhe se përsëri në Tokë do të kthehemi. Por, ndryshe nga bima dhe krijesat e tjera, ne do të ringjallemi nga Toka dhe do të japim llogari për veprat tona. Nëse jetën tonë e shikojmë nga këndvështrimi i botës tjetër, atëherë bëhet krejt e parëndësishme se sa kemi jetuar; me rëndësi do të jetë si kemi jetuar. Bëhet po ashtu e parëndësishme se çfarë kemi pasur; me rëndësi do të jetë çfarë kemi bërë.

Njeriu mendon gabimisht se diçka zotëron. Në të vërtetë, njeriu nuk zotëron asgjë. Mendon gabimisht se diçka kontrollon. Në të vërtetë, njeriu nuk kontrollon asgjë. Kur na viziton sëmundja, shihet qartë se as trupin tonë nuk jemi në gjendje ta qeverisim. Kundër vullnetit tonë, sëmundja na pushton, dhimbja na përfshin, shtrati na bëhet vend qëndrimi, dhe ja, kush mund t’i bëjë ballë kësaj? Çdo njeri e di, pa asnjë dyshim e di, se përfundimi i jetës sonë është vdekja dhe se çdo ditë ne po i afrohemi asaj. E pronar i kujt je ti, o njeri, kur as jetën tënde nuk e zotëron?

Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë – para syve tuaj, – ndërkohë që Ne jemi më afët atij se ju, por ju nuk e vini re – përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme), ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën! (El-Vakia, 83–87) Dhe thotë: “Njeriu është krijuar i nxituar.” (El-Enbija, 37) Këtë nxitim të njeriut, nxitimin për dynjanë dhe neglizhencën ndaj ahiretit, si dhe ngadalësinë në ecjen drejt bamirësisë, i Lartmadhëruari e qorton. Megjithatë, për një rrugë na nxit të nxitojmë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” (Alu Imran, 133) Njeriu, duke nxituar pas dynjasë, për të mirat dhe zbukurimet e saj e sakrifikon veten dhe shpesh, shumë shpesh, e lë pas dore edhe atë që është më e rëndësishme – bamirësinë dhe ahiretin.

Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut tri ditë para vdekjes të ketë thënë: ‘Askush prej jush të mos vdesë pa pasur mendim të mirë për Allahun’.” (Muslimi) Ata që i kanë shërbyer sinqerisht Allahut, do të mendojnë mirë për Të, sepse do ta shohin vendbanimin e tyre në Xhenet. Ndërsa ata që kanë qenë të padëgjueshëm, edhe ata do të mendojnë mirë për Allahun, me shpresë që të shpëtojnë nga dënimi i Xhehenemit. Por, ai mendim i mirë për Allahun, i formuar vetëm në atë çast, nuk do t’u sjellë dobi. Duhet të nxitojmë në rrugën në të cilën na thërret Allahu, dhe Ai na thërret që me sjelljen tonë ta fitojmë faljen e Tij dhe shpërblimin, e ai është Xheneti i gjerë sa qiejt dhe Toka.

Allahu i Plotfuqishëm në një hadith kudsij thotë: “Ata që Më përmendin shumë, ata janë shoqëria Ime. Ata që Më falënderojnë, atyre do t’ua shtoj edhe më shumë. Ata që Më binden, do ta fitojnë respektin Tim. E atyre që nuk Më binden nuk do t’ua shuaj shpresën në mëshirën Time. Nëse pendohen, do t’i dua, sepse Unë i dua ata që pendohen dhe që pastrohen shpesh. Nëse nuk pendohen, do t’i shëroj. Do t’i sprovoj për t’i pastruar nga mëkatet. Kujt t’i jem më i dashur se të tjerët, edhe ai do të më jetë Mua më i dashur. Një vepër e mirë tek Unë vlen sa dhjetë, ose sa shtatëqind herë më shumë, e edhe më tepër, ndërsa për një vepër të keqe dënoj vetëm aq sa peshon ajo. Nëse ai që e ka bërë pendohet dhe kërkon falje, do t’ia fal. Jam i kënaqur me një vepër të vogël të mirë, ndërsa fal mëkate të mëdha. Mëshira Ime i ka paraprirë hidhërimit Tim, dhe mirësia Ime qortimit Tim. Falja Ime është më e shpejtë se dënimi, dhe Unë jam më i mëshirshëm ndaj njeriut se një nënë ndaj fëmijës së saj.” (Medarixhu-s-Salikin)

Ashtu siç vjen era dhe të ftohtit dhe e thajnë e e shpërndajnë barin e sapodalë, ashtu secilit prej nesh do t’i vijë era e vdekjes dhe të ftohtit mortor dhe do të kthehemi në tokë. Para se të kthehemi – dhe çasti i kthimit nuk është zgjedhja jonë – le ta shfrytëzojmë çdo çast të jetës sonë për t’u përgatitur për daljen e dytë nga toka, për ringjalljen. Në këtë udhëtim le ta pyesim vazhdimisht veten: “Pronar i kujt jam unë?” Unë jam pronar vetëm i asaj që do të jetë me mua kur të nxirrem nga toka, dhe ajo quhet vepër. Nëse veprat e mia të mira mbipeshojnë, unë do të shpëtoj.

O Allahu i Lartësuar, forcoje hapin tim që të nxitoj për ta merituar faljen Tënde dhe Xhenetin e gjerë sa qiejt dhe Toka. Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK