Connect with us

Religjion

Në rrugën e sunetit, nën flamurin e mirënjohjes

Publikuar

më

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.“ (Alu Imran, 164)

Duke e përshkruar veten, pa u lavdëruar, Pejgamberi (savs) ka thënë: “Unë jam i dashuri i Allahut.” (Tirmidhiu). Një varg i mevludit thotë: “Muhamedin Allahu e krijoi më së pari, Pejgamber, ai u lind më së fundi.” Një transmetim na tregon se kur Ademi, alejhis-selam, gaboi dhe theu ndalesën e Allahut në Xhenet, duke bërë tevbe tha: “O Zoti im, të lutem, të më falësh me të drejtën e Muhamedit.” Kur u pyet: “Si e di ti për Muhamedin?” Ai tha: “Kur më krijove dhe më fryve një pjesë nga Shpirti Yt, unë e ngrita kokën dhe në Arshin Tënd e pashë të shkruar: “LA ILAHE IL-LALLAH, MUHAMMEDUN RESULULLAH”, e kuptova se Ti nuk do ta vendosje emrin e askujt pranë Emrit Tënd, përveç atij që është më i dashuri Yt.” Ja, ky është Pejgamberi ynë, i dashuri i Allahut, i dërguar për ta udhëhequr njerëzimin. Vendi i tij te Zoti i Madhëruar përshkruhet nga poeti kështu: “Të gjitha i krijova për shkakun tënd, më të mirin të shihja për Vete.”

Duke e përshkruar veten, pa u lavdëruar, Pejgamberi (savs) ka thënë:  “Unë jam bartësi i flamurit të falënderimit në Ditën e Kiametit, nën të cilin do të jenë Ademi, alejhis-selam, dhe të gjithë pejgamberët e tjerë.” (Tirmidhiu). Dallimi i tij në raport me pejgamberët e tjerë është edhe se ai iu dërgua edhe popujve të tyre. Ai tha: “Pasha Allahun, sikur Musai të ishte gjallë, do të duhej të më ndiqte mua.” (Nesaiu).

Nën këtë flamur të mirënjohjes në Ditën e Gjykimit do të qëndrojnë të gjithë ata që ishin falënderues, të gjithë ata që ishin të vetëdijshëm për begatitë që u ishin dhënë dhe që sinqerisht falënderuan për to. Allahu i Lartësuari nga ne kërkon falënderimin, e pret atë, jo pse i nevojitet Atij, por që të na shtojë edhe më shumë, që të na dhurojë akoma më tepër. A nuk na thotë Ai se nëse jemi falënderues, do të na japë edhe më shumë? Ditët e rebiul-evvelit janë këtu që në zemrat tona të lindë më shumë dashuri ndaj Pejgamberit, më shumë vendosmëri në rrugën e tij, më shumë përkushtim ndaj fesë sonë dhe vlerave të saj. Begatia më e madhe që na dhuroi Allahu është imani, Shpallja dhe i Dërguari i Tij. Që të shtohet dashuria jonë për këto begati, le të jemi falënderues duke bërë vepra të mira.

Duke e përshkruar veten, pa u lavdëruar, Pejgamberi (savs) ka thënë:  “Unë jam i pari ndërmjetësues dhe, i pari ndërmjetësimi (shefa’ati) i të cilit do të pranohet.” (Tirmidhiu).

Të gjithë pejgamberët në Ditën e Gjykimit do të hezitojnë të ndërmjetësojnë para Muhamedit (savs)! Ademi, alejhis-selam, do të turpërohet të ndërmjetësojë për shkak të gabimit në Xhenet. Nuhu, alejhis-selam, do të turpërohet për shkak të djalit të tij që nuk hipi në anije. Ibrahimi, alejhis-selam, do të turpërohet për shkak të babait të tij që ishte jobesimtar. Musai, alejhis-selam, do të turpërohet për shkak të vrasjes së një njeriu. Isai, alejhis-selam, do të turpërohet për shkak se disa e quajtën “biri i Zotit”. Ndërsa Muhamedi, alejhis-selam, do të ndërmjetësojë për umetin e tij, për të cilin ai pati gjithnjë kujdes e dhembshuri. Poeti e përshkruan këtë kujdes me këto vargje:

“O Zot i dashur, ma fal mua umetin tim, se tek ata ka shumë mëkate pa mbarim.
Mëkate bëjnë, Ty të kundërshtojnë pa ndalë, ndaj frikësohem se do të bien në Zjarr.”

Dhe prej Allahut Muhamedit i erdhi përgjigjja: “Dhuratë po ta bëj ty sonte, umetin tënd.” Një transmetim tjetër thotë se Pejgamberi (savs) aq shumë iu lut Allahut për umetin e tij, saqë Allahu i tha: “O Muhamed, nëse dëshiron, mund të ta jap ty vendimin për umetin tënd.” Ai u përgjigj: “Jo, o Zoti im, Ti je më i mëshirshëm ndaj tyre sesa unë.” Allahu i Plotfuqishëm i tha: “Atëherë, o Muhamed, kurrë nuk do të të poshtëroj në lidhje me ta.” Le të nxitojmë për shefa’atin e Pejgamberit (savs), duke u bërë të dallueshëm me abdes, me sexhde dhe me vepra të mira.

Duke e përshkruar veten, pa u lavdëruar, Pejgamberi (savs) ka thënë:  “Unë jam i pari që do ta prekë derën e Xhenetit dhe i pari që do të hyjë në të dhe, me mua do të jenë të varfërit e umetit tim.” (Tirmidhi). “Të gjithë pasuesit e mi do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që refuzojnë. Ata që refuzojnë janë ata që nuk më ndjekin dhe nuk iu binden të mirave që kam sjellë”, ka thënë Pejgamberi (savs), i cili u dërgua nga mëshira e pakufishme e Allahut, si mëshirë jo vetëm për njerëzit, por për të gjithë botët. Që të jemi me Pejgamberin (savs) kur të hapen dyert e Xhenetit, le ta dëgjojmë dhe zbatojmë këtë këshillë të tij: “Ruajuni prej mëkateve të vogla.” Pastaj solli një shembull: “Një grup njerëzish mblidhen në një vend të shkretë dhe u duhet dru. Njëri sjell një shkop, pastaj tjetri sjell një tjetër, derisa grumbullojnë shumë, ndezin zjarrin dhe pjekin bukë. Ashtu është edhe me mëkatet e vogla, që njeriu i nënvlerëson, por ato grumbullohen derisa ta çojnë në shkatërrim.” (Ahmedi – Taberaniu)

Duke e përshkruar veten, pa u lavdëruar, Pejgamberi (savs) ka thënë:  “Unë jam më fisniku prej njerëzve.” (Tirmidhi). Ai na solli Shpalljen ku thuhet: “Në të është nderi juaj.” Është madhështore të lexosh për Pejgamberin (savs), madhështore është të flasësh për ata që e ndoqën dhe u bënë prijësit e umetit tonë. Është madhështore të veçosh çdo cilësi që e stolisë atë. Janë madhështore tregimet për veprat dhe sakrificën e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Por, vëllezër, vetëm të flasim për ëmbëlsinë e mjaltit, nuk na jep shijen e tij. Vetëm të flasim për krenarinë, nderin dhe dinjitetin që jetoi Pejgamberi (savs), që është në Shpallje dhe në Sunnet, nuk na bën neve të denjë për atë nder. Le ta ndjekim të Dashurin e Allahut. Le të qëndrojmë nën flamurin e falënderimit. Le të nxitojmë drejt shefa’atit të Pejgamberit (savs) duke bërë vepra të mira. Le të ecim pas tij drejt dyerve të Xhenetit pa mëkate, që të bëhemi edhe ne më të nderuarit, umeti më i mirë që ka parë dhe njohur njerëzimi.

Ajo që solli Pejgamberi (savs), poeti e përshkruan me këto vargje:

“Para ligjit Tënd, o Zoti i Madh,  bie në pluhur mendja e urtë.
Ligjet e Tua janë të patundshme, sheriati Yt është drejtësia e përjetshme.”

O Allahu i Madhëruar, forcoje hapin tonë në rrugën e Pejgamberit (savs). Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)