Connect with us

Religjion

Ndihma e Allahut për ata që e ndihmojnë fenë e Tij

Publikuar

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të denjë për adhurim përveç Allahut dhe se Muhammedi alejhis-selam është rob dhe i Dërguari i Tij.

Vëllezër e motra!

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran famëlartë:

“O ju që keni besuar! Nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ua forcojë këmbët tuaja.” (Surah Muhammed, ajeti 7)

Ky ajet kuranor na mëson se ndihma e Allahut nuk vjen pa ndihmën tonë ndaj fesë së Tij. Kur një besimtar apo besimtare angazhohet me sinqeritet për të përhapur të mirën, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të jetuar sipas vlerave islame, atëherë Allahu i jep atij ndihmën e Tij: E forcon, e drejton dhe e mbron.

Por, si mund ta ndihmojmë ne fenë e Allahut këtu në Zvicër, gjegjësisht në një vend perëndimor?

 Ja disa shembuj praktikë se si do të mund ta ndihmonin ne fenë Allahut:

  1. Të jetosh Islamin me moral dhe sjellje të mirë: Kur je i ndershëm në punë, i drejtë me njerëzit dhe i sjellshëm me fqinjët, po jep shembull të bukur të fesë tënde. Ky është një davet i heshtur, por shumë i fuqishëm.
  1. Të edukosh fëmijët në frymën islame: Në një vend ku ka shumë sfida për rininë, edukimi i fëmijëve me dashuri për Allahun dhe praktikën islame është një ndihmë e drejtpërdrejtë për të ardhmen e Islamit.
  1. Të kontribuosh në jetën e xhamisë: Kush ndihmon në organizimin e mësimeve, mbështet aktivitetet për të rinjtë apo kujdeset për rregullin dhe pastërtinë në xhami, mbështet financiarisht atë, ai është në rrugën e ndihmës ndaj fesë së Allahut.
  1. Të mos e fshehësh identitetin islam: Ta përfaqësosh fenë tënde me krenari, me edukatë dhe urtësi, pa agresivitet, është një mënyrë për t’i treguar shoqërisë se Islami është fe paqeje, drejtësie dhe virtyti.
  1. Të ndihmosh të konvertuarit dhe të sapofuturit në Islam: Ka shumë motra dhe vëllezër të cilët e kanë përqafuar Islamin dhe kanë nevojë për ndihmën tonë. Mbështetja jonë ndaj tyre është ndihmë ndaj fesë.

Të gjithë ne mund të kontribuojmë, sipas mundësive, njohurive dhe pozitës që kemi. Nuk është e nevojshme të jesh dijetar për të ndihmuar Islamin. Mjafton të jesh i sinqertë, i matur, i përgatitur dhe i qëndrueshëm.

Lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që e ndihmojnë fenë e Tij me sinqeritet, me dije dhe me durim. Dhe lusim Atë që të na ndihmojë e të na forcojë në rrugën e Tij.

(26.09.2025, e premte, hutbeja e xhumasë në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen)

(Islampress)