Lajme
Mexhiti: Çairi drejt pastrimit modern me kontejnerë nëntokësorë

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar një ndër projektet kryesore të programit të tij, i cili parasheh modernizimin e shërbimeve komunale të pastrimit përmes vendosjes së kontejnerëve nëntokësorë.
Projekti i titulluar “Çair pa mbeturina në rrugë” ka një buxhet prej 120 milionë denarësh dhe afat zbatimi prej 36 muajsh. Sipas Mexhitit, kontejnerët e rinj do të jenë hermetikisht të mbyllur, duke eliminuar erërat e pakëndshme, do të kenë kapacitet shumë më të madh (një kontejner nëntokësor zëvendëson 5–6 standardë) dhe do të parandalojnë shpërndarjen e mbeturinave në rrugë.
“Zbatimi i projektit do të fillojë menjëherë, me prioritet në pikat më kritike të komunës,” tha Mexhiti.
Një pjesë tjetër e planit është partneriteti strategjik me Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale”. Përmes këtij bashkëpunimi, sipas kandidatit, do të krijohet një trup i përbashkët koordinues me plan dinamik pastrimi, do të rritet shpeshtësia e grumbullimit dhe larjes së rrugëve, ndërsa ekipe mobile do të ndërhyjnë menjëherë për të eliminuar çdo deponi ilegale.
“Çairi do të ketë shërbime komunale moderne, funksionale dhe në standarde evropiane, një mjedis të pastër, të rregullt dhe të shëndetshëm për qytetarët tanë,” deklaroi Mexhiti./ Zyrtare/
















