Maqedoni
Mendi Qyra në Austri: Nga Vjena u dëgjua thirrja, Struga meriton ndryshim

Në një takim të mbajtur në Vjenë, kandidati për kryetar të Strugës, Mendi Qyra, dha një mesazh të qartë: qyteti ka nevojë urgjente për ndryshim dhe për një menaxhim të ndershëm e të përgjegjshëm.
“Mjaft me degradimin dhe shkatërrimin e Strugës! Është koha për një ndryshim të vërtetë, që ta nxjerrim qytetin nga gremina ku është futur,” u shpreh Qyra para bashkatdhetarëve.
Ai theksoi rolin e veçantë të mërgatës strugane, të cilën e cilësoi histori suksesi dhe inspirimi kudo që ndodhet. “Dashuria e tyre për vendlindjen është mbi çdo vështirësi. Edhe pse përballen me mungesë uji të pijshëm, rrugë të shkatërruara dhe probleme të pafundme infrastrukturore sa herë që kthehen, ata nuk e kanë zbehur kurrë dashurinë për Strugën,” tha kandidati.
Qyra premtoi se së bashku me qytetarët do të rikthejë shpresën dhe do të ndërtojë një të ardhme më të mirë për Strugën. “Zëri juaj do të dëgjohet!” deklaroi ai.
















