Shqipëri
Lidhja pas masakrës në Shkodër/ Emri i Barush Bregut trondit hetuesit

Pas masakrës që tronditi Shkodrën mëngjesin e 8 shtatorit, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso (Brajoviç) dhe kamarierja Meri Kaceri, dalin në dritë detaje të reja që hedhin më shumë dritë mbi autorët dhe rrjetin e tyre të lidhjeve kriminale.
Njëri nga emrat që është identifikuar si bashkëpunëtor i Ragip Gilës, autorit të dyshuar të atentatit, është Barush Bregu, i njohur gjithashtu si Bajram Bregu. Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, Bregu ka një lidhje të fortë me Ibrahim Licin, një nga emrat më të përfolur në botën e krimit në veri të vendit dhe kundërshtari i përbetuar i grupit kriminal Bajri.
Pas atentatit, policia kreu disa kontrolle në banesat e dyshuara të Ragip Gilës, Barush Bregut dhe një të mituri 17-vjeçar. Gjatë operacionit, u sekuestruan 14 armë zjarri, përfshirë kallashnikovë, pistoleta, municion luftarak, si dhe dronë dhe pajisje të tjera që lënë të kuptohet për një grup të mirëorganizuar kriminal.
Barush Bregu nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2016, ai u dënua me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Por përfshirja e tij në botën e krimit nuk mbaron këtu.
Në 2018, pas vrasjes mafioze të Fatbardh Licit – xhaxhai i Ibrahim Licit – në një operacion të ndërmarrë nga policia, u zbuluan armë automatike, ndërsa gjurmët e gishtërinjve të Barush Bregut u gjetën në një prej tyre.
Emri i Bregut është lakuar edhe për një tjetër ngjarje të rëndë: atentatin mafioz të marsit 2019, ku u vranë Ibrahim dhe Astrit Bilali, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, i konsideruar krahu i armatosur i grupit Bajri. Edhe pse dyshimet e atëhershme për atentatin ranë mbi Ibrahim Licin, asokohe nuk u ngrit asnjë akuzë zyrtare ndaj tij.
Prej vitesh, familjet Licaj dhe Bajri janë të përfshira në një luftë të përgjakshme për dominim në Shkodër, me atentate të shumta që kanë lënë pas një numër të madh viktimash. Barush Bregu dyshohet si një ndër njerëzit më të besuar të Ibrahim Licit, i cili është shpallur në kërkim për një sërë ngjarjesh kriminale.
Aktualisht, hetimet për masakrën e Shkodrës janë intensifikuar, dhe autoritetet janë duke ndjekur pista të shumta për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një akt të izoluar apo pjesë e një përplasjeje të organizuar mafioze, që mund të sinjalizojë një valë të re hakmarrjesh në Shkodër.
















