Connect with us

Lajme

Kupola e UÇK-së në Hagë, një ide e hedhur nga Rama

Publikuar

Kryeministri Rama tha në Klan Kosova se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është demokratik, dhe kjo sipas tij, “është shumë e rëndë”.

Sipas tij, në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po ndodhin shkelje shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit.

Ndaj, ai hodhi idenë e daljes me një rezolutë të unifikuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, ku të vihen në dukje të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit.

“Unë besoj se do të ishte një hap që do të kishte një jehonë të caktuar në rast se do të bashkoheshin të dy Kuvendet dhe në rast se ne do të ndërmerrnim një ofensivë diplomatike për ta çuar këtë qëndrim të unifikuar në të gjitha kancelaritë duke bashkëlidhur të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit”, u shpreh Rama.

Për të, “i gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi”. “Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akuzë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që nuk ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta”.

Rama theksoi se e ka ndjekur procesin nga kjo anë dhe shkeljet janë të panumërta.

“Në asnjë vend demokratik një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot para kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore nuk do të kishin ndenjur dot duarkryq përballë një procesi të tillë”, shtoi ai.

NA NDIQ NË FACEBOOK