Lajme
Izet Mexhiti: VLEN ka zgjedhur kandidatin më të përgatitur që mund t’i prijë Tearcës

Qeverinë e kaluar, ata që ishin para nesh sollën një vendim gjysmak për të mbështetur komunat dhe i ndanin vetëm Tetovën dhe Çairin, 78 komunat tjera nuk ishin problem se a janë të LSDM-së apo VMRO-DPMNE-së, me rëndësi të mos jenë të VLEN-it, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në hapjen e Shtabit zgjedhor në Tearcë.
“Për Qeverinë e re një prej temave kryesore ka qenë Marrëveshja e Ohrit, decentralizimi fiskal, fuqizimi i komunave dhe sollëm vendimin historik pas viteve të 90-ta që të mbështeten me 1 miliardë euro 80 komuna dhe ne si VLEN thamë se do të përkrahim të gjitha vendbanimet dhe komunat shqiptare pa dallim nga vjen ai”, tha Mexhiti, njëherësh kandidat për kryetar të Çairit.
Ne Tearcën, vazhdoi ai e kemi mbështetur për shkak qytetarëve të Tearcës edhe kur kryetar ka qenë i palës tjetër.
“Ne Tearcën do e përkrahim edhe më fuqishëm kur në krye të saj do të vjen Dauti, sepse është njeriu më i përgatitur i cili do të ketë mbështetjen edhe të ekzekutivit, ministrave, zv/ministrave që me këtë ekip të mbyll një herë e përgjithmonë projektet”, tha ai.
Me Dautin dhe VLEN, shtoi Mexhiti, një herë e përgjithmonë do të mbyllim çështjen e kanalizimit, ujësjellësit, infrastrukturës për qytetarët që të ketë shkolla më të mira, standard më të mirë sepse këtë e meriton Tearca.
“Mendoj që VLEN ka zgjedhur kandidatin më meritor dhe më të përgatitur që mund t’i prijë Tearcës dhe ta mbështesim fuqishëm atë drejt fitores së re më 19 tetor”, tha mes tjerash Mexhiti.

















