Maqedoni
Fatmir Sabriu në Lisbonë, prezanton sistemin e ndërhyrjes së hershme për fëmijët

Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Ndërhyrjen e Hershme, e cila u mbajt në Lisbonë, ku prezantoi sistemin e ndërhyrjes së hershme për fëmijët në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij, Sabriu theksoi rëndësinë e këtij modeli, i cili ka për qëllim sigurimin e mundësive të barabarta për zhvillim dhe integrim për çdo fëmijë. Ai vlerësoi punën e ekipit të Ministrisë dhe angazhimin e pandërprerë për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
“Ky ishte një moment i veçantë për të ndarë përvojën dhe progresin e vendit tonë me ekspertë nga e gjithë bota. Jam krenar për punën e palodhur të ekipit tonë dhe për mbështetjen institucionale që e bën këtë proces të mundur,” u shpreh Sabriu.
Ai nënvizoi se shkëmbimi i njohurive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë elementë kyç për avancimin e politikave sociale. Me këtë rast, Sabriu shprehu falënderime të veçanta për UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin në drejtim të forcimit të politikave për fëmijët.
Konferenca në Lisbonë shërbeu si një platformë e rëndësishme për të ndarë praktika të mira, për të ndërtuar partneritete të reja dhe për të thelluar angazhimin në fushën e ndërhyrjes së hershme për fëmijët.
















