Connect with us

Maqedoni

Mbyllja e deponisë në Nikushtak, Komuna e Likovës: Arbitrar dhe i paligjshëm

Publikuar

Komuna e Likovës ka dalë me një reagim ndaj urdhëresës së sjellë nga Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti me të cilën thuhet se është mbyllur deponia në fshatin Nikushtak, duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me ligjin dhe të motivuar politikisht.

Nga Komuna theksojnë se urdhëresa bie ndesh me një sërë aktesh zyrtare, përfshirë Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, kontratat ekzistuese dhe programin shtetëror për menaxhimin e deponive regjionale, ku qartë parashihet funksionalizimi i deponisë së re në Shën Nikollë.

“Është absurde që pas vetëm një muaji nga kontrata për mirëmbajtjen 6-mujore të deponisë në Nikushtak, të sillet një vendim për mbylljen e saj. Ky është një veprim kontradiktor dhe arbitrar, që synon më shumë pikë politike sesa zgjidhje reale”, thuhet në reagim.

Komuna kujton se në nivel shtetëror ekzistojnë mbi 80 deponi jo standarde, shumica në gjendje shumë më të rëndë, por asnjëra prej tyre nuk është objekt i masave të ngjashme. “Fakti që vendimi nuk mbështetet në asnjë raport të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dëshmon se akti është i paligjshëm dhe i pabazuar”, shton Komuna.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se do të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë për të mbrojtur interesin publik dhe paralajmërojnë organizimin e një debati publik këtë javë për ta sqaruar çështjen para qytetarëve.

“Komuna e Likovës mbetet e përkushtuar për mbylljen përfundimtare të deponisë jo standarde, por thekson se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme është hapja e deponisë regjionale në Sveti Nikollë. Çdo tentativë për hedhjen e fajit mbi Komunën është e pabazuar dhe e papranueshme”, përfundon reagimi.

Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti por dhe Koalicioni VLEN njoftuan se deponia ilegale në Nikushtak është mbyllur përfundimisht, duke e cilësuar këtë si një nga problemet më të mëdha të trashëguara nga pushteti i kaluar. (INA)

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK