Lajme
Drejtori i Kodrës së Diellit përgenjështron Bajram Rexhepin: “Komuna e Tetovës s’ka kompetenca mbi qendrën, ju e shkatërruat me keqmenaxhim”

Drejtori i Ski Qendrës “Kodra e Diellit”, Gani Aliji, ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit të AKI-së për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe përpjekje për manipulim të qytetarëve.
Aliji theksoi se Komuna e Tetovës nuk ka kompetenca mbi menaxhimin e Ski Qendrës, pasi kjo është çështje e pushtetit qendror. Ai kujtoi se për vite me radhë qendra është udhëhequr nga kuadro të partisë së Rexhepit, të cilët sipas tij nuk kanë sjellë zhvillim, por përkundrazi e kanë shkatërruar përmes keqmenaxhimit dhe zhvatjes.
Në reagim përmendet shkatërrimi i hoteleve “Sllavija” dhe “Inex”, si dhe gjetjet e revizionit që sipas Alijit kanë konstatuar keqpërdorime me miliona euro, ndaj të cilave janë ngritur edhe padi.
“Po ata bashkëpunëtorë e ish-drejtorë me të cilët sot kërkoni vota, janë ata që e futën qendrën në borxhe milionëshe, larguan 23 punëtorë me mbi 30 vite përvojë dhe i zëvendësuan me kontrata të përkohshme,” shkruan Aliji.
Ai gjithashtu përmendi projektin e nisjes së rrugës që lidh fshatin Lisec me Kodrën e Diellit, duke theksuar se ky investim u realizua gjatë mandatit të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Ka kush i del zot Kodrës së Diellit me punë, jo me propagandë,” përfundoi drejtori i Ski Qendrës, Gani Aliji.



















