Connect with us

Religjion

Çfarë kërkon Pejgamberi a.s. nga ne që të jemi banorë të Xhennetit?

Publikuar

Sot është xhumaja e katërt e muajit rebiul-evvel. Është e zakonshme që në këtë muaj të mevludit, në hutbe të flitet për Pejgamberin (a.s.), për cilësitë e tij, për veprat e tij dhe për mesazhet që ai ka sjellë. E dimë se qëllimi i misionit të tij, siç ka thënë edhe vetë, është: “Që ta përsos moralin tek njerëzit”, d.m.th., ta edukojë njeriun. Pa këtë edukim, pa sjellje në përputhje me parimet e fesë sonë të lartë, vështirë është të shpresohet në sukses.

Ka shembuj kur Pejgamberi (a.s.), për ata që edhe e falin rregullisht namazin, që agjërojnë detyrimisht dhe vullnetarisht, por për shkak të sjelljes së tyre imorale, ka thënë se ata do të përfundojnë në Xhehenem. Veçanërisht Pejgamberi (a.s.) na ka tërhequr vëmendjen ndaj rrezikut të mëkateve që i bëjmë ndaj njeriut, ndaj njerëzve, sepse gjithçka do të duhet të barazohet, secilit do t’i kthehet e drejta e tij. Madje, mes atyre që falin rregullisht dhe agjërojnë me përkushtim, do të ketë edhe prej atyre që Ditën e Gjykimit do të dalin të falimentuar, ngase për shkak të fyerjes dhe shqetësimit që u kanë shkaktuar njerëzve, do t’i humbin të gjitha veprat e tyre të mira.

Sot dua ta përqendrojmë vëmendjen tonë tek hadithi i Pejgamberit (a.s.) ku ai thotë:
“Më premtoni ju mua, se do ta flisni të vërtetën, do t’i përmbushni premtimet, do ta ktheni atë që ju është besuar për ruajtje, do të ruheni nga haramet dhe nuk do t’i bëni keq askujt, kurse unë jua premtoj juve Xhenetin.” (Tirmidhiu)

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Thuaje të vërtetën edhe nëse është e hidhur.” Fjalimi i besimtarit është fjalë e vërtetë. Thuaje të vërtetën edhe nëse ajo është kundër vetes tënde dhe të afërmve të tu. Pejgamberi (a.s.) na ka sqaruar qartë se besimtari mund të jetë koprrac, mund të jetë edhe frikacak, por gënjeshtar nuk mund të jetë, sepse: “Gënjeshtra është porta e hipokrizisë” dhe një nga cilësitë e hipokritit është: “Kur flet, gënjen.” Në këto ditë të rebiul-evvelit jemi shumë të përkushtuar ndaj personalitetit të Pejgamberit (a.s.), e kujtojmë se kur dhe ku lindi dhe cilat mrekulli e shoqëruan lindjen e tij; dhe mësojmë se ai, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka ardhur për të na dalluar, për të na bërë të veçantë, për të na edukuar. Ai erdhi që të na tregojë rrugën drejt Xhenetit, dhe ja, thekson se në atë rrugë nuk ka vend për gënjeshtra. Nëse me të vërtetë e dua Pejgamberin dhe e dëshiroj Xhenetin, atëherë duhet të përcaktohem qartë që ta flas të vërtetën, ta mbroj të vërtetën dhe të luftoj për të vërtetën.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Premtimi është borxh.” Besimtarin, pasuesin e Pejgamberit (a.s.) e zbukuron fakti se kur premton diçka, ai e mban atë premtim, e përmbush atë që ka thënë. Hipokriti njihet nga kjo shenjë: “Kur premton, e thyen premtimin.” Në këto ditë të rebiul-evvelit jemi të përkushtuar ndaj personalitetit të Pejgamberit (a.s.), e kujtojmë sunetin e tij, e sunet është gjithçka që ai, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë, ka vepruar ose ka miratuar me heshtje. Pejgamberi (a.s.) ka ardhur që të na edukojë, të na udhëheqë në rrugën e Xhenetit, dhe na mëson se në atë rrugë nuk ka vend për premtime të thyera. Prandaj, o pasues i Pejgamberit (a.s.), mos premto atë që nuk mund ta përmbushësh ose dyshon në përmbushjen e saj, sepse kur të premton, premtimi bëhet borxh që duhet shlyer. Nëse, me të vërtetë, e dua Pejgamberin (a.s.) dhe e dëshiroj Xhenetin, atëherë gjithmonë e përmbushi atë që e premtoj.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka iman ai që nuk ka besueshmëri.” Ai është shembulli i besueshmërisë, ai është El-Emin. Secilit prej nesh i është besuar diçka, a nuk ka thënë Pejgamberi (a.s.) se të gjithë jemi bari për diçka? Madhështia e imanit tonë matet sipas qëndrimit tonë ndaj asaj që na është besuar. Është e pamundur që njerëzit t’i kontrollojnë e t’i mbikëqyrin të gjitha gjërat, prandaj një nga cilësitë më të mëdha të besimtarit është besueshmëria. Ta kujtojmë shembullin e bariut të cilit Omeri (r.a.), i kërkoi që t’ia shiste një dele. Bariu i tha: “Si të ta shes kur nuk është e imja?” Omeri (r.a.) i tha: “Pronari i deleve nuk do ta dijë se e ke shitur.” Bariu e kundërshtoi duke thënë: “Nëse mund ta fsheh nga pronari, nga Allahu kurrsesi nuk mund ta fsheh.” Atëherë Omeri (r.a.) e falënderoi Allahun që ishte halif i një populli të tillë. Le ta pyesim ne veten tonë: Sa herë e kemi tradhtuar atë që na është besuar? Sa herë kemi qenë të papërgjegjshëm ndaj amanetit që kemi marrë? Ja pra, aty matet forca e imanit, jo tek namazi, jo tek agjërimi, por tek qëndrimi ynë ndaj asaj që na është besuar. Në këto ditë të rebiul-evvelit jemi të përkushtuar ndaj figurës dhe veprës së Pejgamberit (savs), e kujtojmë se kur dhe ku lindi, me kë u rrit dhe çfarë thoshte, por ta dimë se detyra jonë nuk është vetëm ta njohim Pejgamberin (a.s.). Për të shpëtuar dhe për t’u radhitur mes banorëve të Xhenetit duhet ta ndjekim atë. Prandaj, le të thërrasim, o vëllezër: “Të duam o i Dërguar!” dhe këtë dashuri ta dëshmojmë duke u kujdesur për atë që na është besuar, ashtu siç u kujdesën shokët e tij.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Hallalli është i qartë edhe harami është i qartë.” Besimtarin, pasuesin e Pejgamberit (a.s.) e njeh për nga sjellja e tij, sepse ai ruhet nga harami, i largohet atij, dëshiron që harami të jetë sa më larg tij. Pak janë mes pasuesve të Pejgamberit (a.s.) ata që nuk dinë ta dallojnë hallallin nga harami, sepse dispozitat për to na kanë ardhur në ajetet e qarta “muhkemat”. Por gjithashtu, pak janë edhe ata që janë të vendosur qartë, të patundur që ta shmangin haramin me çdo kusht. Në këto ditë të rebiul-evvelit jemi shumë të përkushtuar ndaj Pejgamberit (a.s.) dhe sunetit të tij, por përkushtimi i vërtetë është ta jetosh atë që jetoi ai. Nëse me të vërtetë e duam Pejgamberin (a.s.) dhe vërtet e dëshirojmë Xhenetin, atëherë në rrugën e fitimit të hallallit duhet të sakrifikojmë, e nga harami duhet të ikim. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nuk do të besosh me sinqeritet derisa njerëzit tjerë të jenë të sigurt nga gjuha dhe duart e tua.” Ky Pejgamberi ynë i dashur, që në këtë muaj ka lindur, na ka mësuar se feja është sjellje, është moral i mirë. Ai na ka mësuar se parimi më i lartë etik është t’ia duash tjetrit atë që ia do vetes. Prandaj, o pasues i Pejgamberit (a.s.), pyete veten: kur shejtani të nxit që t’i bësh keq dikujt, a do të doje që dikush tjetër të ta bënte ty të njëjtën gjë?

Ja pra, vëllezër, Pejgamberi (a.s.) na thotë, imagjinoni sikur të ishte këtu mes nesh, dhe si i Dërguar i Allahut na thotë: “Më premtoni se do ta flisni të vërtetën, do t’i përmbushni premtimet, do ta ktheni atë që ju është besuar për ruajtje, do të ruheni nga haramet dhe nuk do t’i bëni keq askujt, dhe unë jua premtoj Xhenetin.” (Tirmidhiu)

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që të stolisemi me cilësitë e banorëve të Xhenetit. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK