Lajme
Bujar Osmani: Do të shpallim gjendje të jashtëzakonshme për Çairin, situata me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin është alarmante!

“Situata në Çair është alarmante,” paralajmëroi sot kandidati për kryetar komune, Bujar Osmani, duke shpallur një plan radikal dhe urgjent për shpëtimin e komunës, e cila, sipas tij, gjendet në prag të kolapsit funksional.
“Kjo do të thotë se analizat tona shkencore, nga arkitektët dhe ekspertët që i angazhuam, tregojnë se Çairit i parashikohet kolaps i funksioneve themelore të jetës në vitet e ardhshme. Dhe ky është një alarm për çdo qytetar.”
Në një deklaratë të mbushur me urgjencë dhe drejtpërdrejtësi, Osmani njoftoi se menjëherë pas marrjes së detyrës do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Çair, me tri prioritete kryesore: mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe korrupsioni.
“Prandaj, dua të them se që ditën e parë do të shpallim gjendje të jashtëzakonshme për Çairin. Gjendje krize për tri çështje:
Së pari, mbeturinat. Formojmë Shtabin e Krizës për mbeturinat, me një aksion masiv pastrimi, së bashku me qytetarët dhe me çdo resurs që kemi. Paralelisht, themelojmë ndërmarrjen e re publike komunale për pastrim.
Së dyti, ndërtimet pa leje. Formojmë Shtabin e Krizës për ndërtimet pa leje, me të gjithë inspektoratet, komunalin dhe urbanizmin. Dhe këtë e ndalim menjëherë. Pas 20 tetorit, asnjë tullë në Çair nuk do të mund të vendoset pa leje.
Së treti, korrupsioni. Formojmë Shtabin e Krizës për korrupsionin. Nuk mund të jemi ne ana e zezë e Maqedonisë së Veriut për korrupsion, sepse kjo dëmton imazhin tonë si popull para të gjithëve. Dhe nuk mund të lejoj që populli im të etiketohet se komuna ku ata janë shumicë është më e korruptuara në qytetin e Shkupit sipas të gjithë parametrave, dhe më pak transparente në gjithë Maqedoninë.”
Osmani u bëri thirrje banorëve të Çairit që ta kuptojnë këtë betejë si të përbashkët, e jo partiake apo politike.
“Së bashku me qytetarët. Kjo tashmë nuk është çështje partie apo politike. Kjo është misioni ynë i përbashkët. Do ta rikthejmë imazhin e Çairit si komuna më e pastër, më e rregullt dhe më transparente në qytetin e Shkupit. Dhe kjo është detyra jonë morale dhe njerëzore ndaj qytetarëve.”
















