Lajme
BDI: A po bëhet Maqedonia “Republika e tretë serbe”?

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe alarmon opinionin publik se Maqedonia e Veriut po përballet me një ofensivë të hapur të projektit famëkeq të “Botës Serbe”. Ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, fatkeqësisht, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë.
Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si “Republika e tretë serbe”.
Kjo është e papranueshme. Është kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit.
BDI thekson qartë: projekti i “Botës Serbe” është armiqësor për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit, kohezioni multietnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia jonë e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo tentativë për t’i minuar këto vlera do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis.
Maqedonia e Veriut nuk është, dhe kurrë nuk do të bëhet “Republika e tretë serbe”!
















