Bota
Atentatori i Charlie Kirk kapet nga kamera duke ikur në çati (VIDEO)

FBI ka publikuar pamje tronditëse të momentit kur autori i dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk u arratis nga vendngjarja, duke kapërcyer çatinë e një ndërtese në Universitetin e Luginës së Utah-ut dhe duke u zhdukur në një zonë të pyllëzuar aty pranë.
Sipas autoriteteve federale, sulmi ndodhi pak pas orës 12:20 të mesditës me kohën lokale, kur një plumb i vetëm, i qëlluar nga çatia e ndërtesës, i mori jetën Kirkut, i cili po fliste përballë një audience studentore.
Në videon e publikuar nga FBI, autori shihet duke vrapuar nëpër çati, më pas duke zbritur me nxitim poshtë ndërtesës, ku mbeti gjurmë pëllëmbe, parakrahu dhe një gjurmë këpuce që tani po analizohen për ADN. Pak minuta më pas, ai shihet duke kaluar një zonë me bar pranë një parkingu dhe zhduket brenda një pylli.
Në zonën ku u zhduk atentatori, hetuesit gjetën pushkën me fuqi të lartë tip Mauser dhe fishekë të personalizuar me mesazhe ideologjike të lëvizjes transgjinore dhe antifashiste – një fakt që ka ngritur alarm mes autoriteteve për një sulm me motiv politik.
Sipas burimeve nga ABC News, pushka ishte mbështjellë me një peshqir dhe braktisur në mënyrë të qëllimshme për të shmangur gjurmët. Hetimet po kryhen nga FBI, ATF, dhe Departamenti i Drejtësisë.
Çmim për informatorët dhe reagimi i guvernatorit
Guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, ka bërë thirrje publike për ndihmë në identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri tani janë raportuar mbi 7,000 pista dhe informacione, numri më i madh që nga atentati në Maratonën e Bostonit në 2013.
“Nuk mund ta bëjmë këtë pa ndihmën e publikut. Ky person duhet të përballet me dënimin maksimal, përfshirë dënimin me vdekje”, – deklaroi Cox në një konferencë për shtyp.
FBI ofron deri në 100,000 dollarë shpërblim për çdo informacion që çon në arrestimin e autorit.
Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një nga figurat më të zëshme të krahut të djathtë amerikan. Ai ishte themelues i “Turning Point USA”, një organizatë me ndikim të madh mes studentëve dhe të rinjve konservatorë.
Kirk ishte një aleat i ngushtë i Donald Trump, shpesh i ftuar në evente politike dhe me një ndikim të madh në rrjetet sociale. Vrasja e tij është cilësuar si “vrasje politike e motivuar ideologjikisht”, e para e këtij lloji në vitet e fundit në SHBA.
















