Religjion
A ËSHTË FEJA SHKAKTARJA MË E MADH E KONFLIKTEVE DHE HUMBJEVE NJERËZORE?

Hfz. Mehas Alija
Shpeshherë mund të dëgjohet teza se feja është burimi më i madh i dhunës dhe i konflikteve në historinë e njerëzimit. Thuhet se në emër te saj janë bërë krime të panumërta dhe feja është shpallur si sinonim i prapambetjes, fanatizmit dhe shtypjes. Veçanërisht Islami përmendet si simbol i dhunës, i luftës, ndërsa religjioni në përgjithësi konsiderohet i rrezikshëm për progresin dhe paqen shoqërore e globale. Në anën tjetër, sistemet ateiste apo komuniste shpesh paraqiten si garanci të përparimit dhe sigurisë. Por, sa qëndron kjo tezë përballë historisë dhe shifrave reale të viktimave të regjimeve ateiste dhe autoritare?
Krimet e regjimeve ateiste dhe komuniste
Nëse e analizojmë listën e individëve më përgjegjës për humbjet masive të jetëve njerëzore në shekujt e fundit, del qartë se shumica dërrmuese e tyre nuk kanë vepruar në emër të fesë, por për arsye politike, ideologjike apo pushteti.
Një nga shembujt më famëkeq është Mao Ce Tung, lideri komunist i Kinës, përgjegjës për vdekjen e afro 77 milionë njerëzve, përmes politikave katastrofale si Revolucioni Kulturor. A mos vallë ishte musliman? Ai nuk ishte musliman, i krishterë apo hebre, por një diktator komunist që përdori ateizmin shtetëror si pjesë të projektit për të shkatërruar traditën dhe fenë, për të imponuar një ideologji totalitare. Fushatat e tij shkaktuan jo vetëm urinë masive, por edhe një kulturë frike dhe terrori ku madje edhe fëmijët tradhtonin prindërit e tyre.
Pas tij vjen Josif Stalini, një tjetër diktator ateist, përgjegjës për mbi 20 deri në 50 milionë viktima. Kolektivizimi i detyruar, spastrimet politike, internimet në Gulag dhe uria artificiale e shkaktuar në Ukrainë (Holodomor) janë dëshmi të një regjimi që ushtroi një dhunë të pamëshirshme, jo për arsye fetare, por për ruajtjen e një pushteti absolut. Shteti i tij e përndiqte fenë dhe e shihte si kërcënim për kontrollin ideologjik.
Në listën e zbatuesve të dhunës masive për motive jofetare është edhe Adolf Hitleri, përgjegjës për 21 milionë viktima. Edhe pse përdorte retorikë kombëtariste dhe kishte lidhje me Kishën, shumica e historianëve e konsiderojnë ateist ose, në rastin më të mirë, një oportunist që e instrumentalizonte fenë për qëllime politike. Ai e shihte fenë si pengesë për ideologjinë e tij raciste dhe autoritare.
Lista vazhdon me figura si Pol Pot në Kamboxhia (rreth 2 milionë të vrarë), Leopoldi II i Belgjikës (rreth 10 milionë viktima në Kongo), Kublai Khan, Carica Ciksi, Çiang Kai Shek, e të tjerë – të gjithë përgjegjës për miliona viktima, dhe asnjëri nuk veproi në emër të ndonjë feje.
Po feja, a ka qenë ndonjëherë shkak i vërtetë i luftës?
Për të qenë të drejtë, historia njeh edhe konflikte që kanë pasur dimension fetar, si Kryqëzatat, Luftërat fetare në Evropë, apo tensionet në Lindjen e Mesme. Por, këto konflikte kanë qenë gjithmonë shumëdimensionale, ku feja ka qenë më shumë pretekst sesa shkak i vërtetë. Pas tyre qëndronin motive territoriale, ekonomike, politike dhe identitare.
Në botën moderne, konfliktet që shpërthejnë shpesh në vende me shumicë muslimane, për shembull, kanë më shumë lidhje me ndërhyrjet gjeopolitike, korrupsionin e elitave dhe pabarazitë sociale, sesa me vetë besimin fetar.
Në të vërtetë, të gjitha fetë kryesore botërore predikojnë paqen, drejtësinë dhe respektin për jetën njerëzore. Ato mund të keqpërdoren nga individë ekstremistë, ashtu si çdo ideologji tjetër, por nuk janë vetvetiu burim dhune. Problemi është kur feja përdoret si mjet për manipulim masash ose për të justifikuar qëllime të tjera politike, ekonomike apo nacionaliste.
Ateizmi si “garanci” për paqe? Një iluzion?
Duke parë historinë, duket e qartë se as feja nuk është garant për dhunë, as ateizmi për paqe. Në fakt, disa nga regjimet më brutale dhe shtypëse të historisë kanë qenë ateiste në thelb, ku feja ishte ndaluar, dhe njerëzit jetonin nën frikë, censurë dhe terror shtetëror. A mund të quajmë një shoqëri “progresive” kur miliona njerëz vriten për shkak të bindjeve të tyre ose për shkak të mosnënshtrimit ndaj ideologjisë sunduese?
Përfundim
Kur krahasojmë historinë e konflikteve dhe viktimave njerëzore, rezulton se shkaktarët kryesorë të tragjedive më të mëdha nuk janë fetë, por ideologjitë totalitare dhe etja për pushtet. Feja, në vetvete, është shpesh forcë për paqe, ngushëllim dhe solidaritet, ndërsa problemet lindin kur ajo manipulohet për interesa të errëta. Po ashtu, edhe ateizmi, nëse shndërrohet në ideologji shtetërore shtypëse, mund të jetë po aq i rrezikshëm sa çdo ekstremizëm fetar.
Pra, në vend që të fajësojmë fenë si burim të së keqes, duhet të kuptojmë se burimi real i tragjedive njerëzore është abuzimi me pushtetin, ekstremizmi i çdo forme dhe mungesa e lirisë së vërtetë, pavarësisht a veprohet në emër të Zotit, njeriut apo sistemit.
Referencat:
1. Fenby, Jonathan. Modern China: The Fall and Rise of a Great Power, 1850 to the Present
2. https://en.wikipedia.org/wiki/Joseph_Stalin…
3. https://el-asr.com/…/da-li-su-religije-krive-za…/
(Islampress)























