Bota
14-vjeçarja humb jetën pas operacionit të gjoksit pa dijeninë e babait – ja reagimi i tij

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Durango të Meksikës, ku një 14-vjeçare ka humbur jetën pas një ndërhyrjeje estetike të dyshimtë. Paloma Nicole Arellano Escobedo, një nxënëse e shkollës së mesme, ndërroi jetë një javë pas një operacioni për zmadhim gjoksi, të cilin babai i saj pretendon se e kishte pa dijeninë dhe miratimin e tij.
Sipas mediave lokale, në certifikatën e vdekjes së adoleshentes shkruhej si shkak “sëmundje respiratore”, por babai i saj, Carlos Arellano, e cilëson këtë si një mbulim të së vërtetës. “Ata e shënuan si ‘sëmundje’ në certifikatën e vdekjes, në një përpjekje për të fshehur të vërtetën,” – ka deklaruar ai për mediat. Carlos tha se e zbuloi ndërhyrjen vetëm pas funeralit të vajzës, kur u vu në dijeni se ajo kishte kryer operacion estetik.
Adoleshentja ishte paraqitur në spital në gjendje kritike, në koma të induktuar dhe e intubuar. Fillimisht babait iu tha se vajza kishte pësuar ndërlikime nga COVID-19 gjatë një udhëtimi në male, por më pas ai mori vesh të vërtetën. Mediat spanjolle raportojnë se ndërhyrja estetike dyshohet se është kryer me pëlqimin e nënës së Palomës.
Rasti i saj ka ngjallur reagime të ashpra në Meksikë dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes rrezikun e ndërhyrjeve estetike të palicencuara ose të kryera nga persona jo të kualifikuar. Autoritetet vendase kanë nisur një hetim për të zbuluar rrethanat e vërteta të ngjarjes dhe për të ndëshkuar ata që mund të jenë përgjegjës.
Ky rast i rëndë vjen vetëm dy muaj pas vdekjes së një 40-vjeçareje në Brazil gjatë një liposuksioni dhe pas shumë rasteve të tjera të ngjashme në botë, ku gratë dhe vajzat e reja joshen nga çmimet e ulëta dhe reklamat në rrjete sociale për ndërhyrje estetike, që shpesh përfundojnë tragjikisht.















