Lajme
Zëri i qytetarëve, plani i zhvillimit – Bujar Osmani vjen me ide të reja për Çairin

Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Kombëtar për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, pritet që shumë shpejt të dalë me një program të detajuar zhvillimor që synon të sjellë transformim të thellë dhe afatgjatë për këtë komunë me rëndësi të veçantë në Shkup.
Burime nga ekipi Osmani bëjnë të ditur se programi në fjalë është përpiluar me kujdes të veçantë nga ekspertë të fushave përkatëse dhe do të fokusohet në disa shtylla kyçe të zhvillimit lokal, përfshirë:
• Modernizimin e infrastrukturës në të gjithë territorin e komunës,
• Zhvillimin dhe riorganizimin e hapësirave publike me theks te hapësirat e gjelbra,
• Përmirësimin e kushteve në institucionet parashkollore dhe shkollat fillore,
• Një vizion të ri për Çarshinë e Vjetër të Shkupit si zemra kulturore dhe identitare e qytetit, përmes rigjallërimit dhe ridizajnimit të aktiviteteve kulturore.
Ndonëse detajet e plota ende nuk janë bërë publike, Osmani pritet që këto dhe planet tjera të zhvillimit të Çairit t’i shpallë personalisht gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, duke u angazhuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe duke prezantuar vizionin e tij për një Çair më funksional, më të bukur dhe më të denjë për qytetarët e tij.




















