Connect with us

Bota

Tronditje! Adoleshenti 17 vjeç qëllon për vdekje presidentin e klubit në restorant (VIDEO e rëndë)

Publikuar

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në periferi të lagjes Çekmeköy në Stamboll, ku presidenti i skuadrës së futbollit Alemdag Spor, 49-vjeçari Tuncay Meric, u ekzekutua me gjakftohtësi teksa po darkonte me një mik të tij.

Pamjet e kamerave të sigurisë, tashmë të publikuara në mediat turke, tregojnë momentin e rëndë kur autori, i veshur me të zeza dhe me kapele, hyn në restorant dhe i afrohet viktimës nga pas. Pa asnjë debat apo paralajmërim, ai nxjerr pistoletën nga brezi dhe e qëllon në kokë me një plumb të vetëm, duke e lënë të vdekur në vend.

Klientët e shumtë që ndodheshin në lokal u përfshinë nga paniku, ndërsa autori u largua me qetësi nga vendi i krimit.

Arrestimi i autorit

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e sigurisë nisën një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Gerlikaya, njoftoi se personi i dyshuar, një 17-vjeçar, u kap në qytetin kufitar të Edirnes teksa përpiqej të arratisej jashtë vendit.

Gjithashtu, një 64-vjeçar që e kishte strehuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe kishte tentuar ta ndihmonte të arratisej, është vënë në pranga nga autoritetet.

Dëshmitarët

Një dëshmitar okular përshkroi skenën tronditëse:

“Isha ulur në një kafene me miqtë. U ngrita për të shkuar në tualet. Po shikoja pamjet e një sherri. Nuk kishte asnjë debat, asnjë dialog. Papritmas, një burrë i ri ngriti armën drejt burrit pranë tij dhe e qëlloi. Të gjithë po vraponin, unë u shtriva përtokë.”

Hetimet

Autoritetet turke kanë nisur një hetim të plotë mbi motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur jo vetëm opinionin publik sportiv, por edhe atë politik në vend. Deri më tani, shkaqet e ekzekutimit mbeten të panjohura.

Advertisement