Lajme
Taravari: Politikat sociale dhe mbrojtja e familjes – në themel të qëndrueshmërisë kombëtare

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka prezantuar sot Pikën 4 të Platformës Kombëtare të subjektit që drejton, e cila fokusohet në “Politikat Sociale dhe Familja – Shtylla e qëndrueshmërisë sonë kombëtare”.
Në një deklaratë publike për mediat, Taravari theksoi se forcimi i familjes tradicionale shqiptare dhe mbrojtja e shtresave më të ndjeshme të shoqërisë përbëjnë një ndër prioritetet kyçe të programit qeverisës të Aleancës.
“Familja shqiptare nuk është vetëm një strukturë shoqërore, por institucioni i parë i trashëgimisë kombëtare – ruajtës i gjuhës, zakoneve dhe ndërgjegjes sonë historike,” deklaroi Taravari.
Ai prezantoi një sërë angazhimesh konkrete që përfshijnë:
Përkrahje të fuqishme për familjen tradicionale përmes lehtësirave ekonomike dhe sociale;
Nxitje të lindshmërisë me subvencione për çdo fëmijë të lindur dhe përkrahje për prindërit e rinj;
Mbështetje të posaçme për nënat vetushqyese, me qasje të drejtë në shërbime shëndetësore, sociale dhe punësim;
Politika specifike për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, në nderim të kontributit të tyre për kombin;
Ndihmë sociale për pensionistët, nënat e reja, fëmijët në nevojë dhe qytetarët pa përkujdesje familjare;
Zhvillim të një politike sociale dinjitoze, që nxit solidaritetin kombëtar dhe përgjegjësinë individuale.
Taravari theksoi se këto masa nuk janë thjesht premtime zgjedhore, por pjesë e vizionit afatgjatë për një shoqëri shqiptare të qëndrueshme dhe të drejtë. Ai njoftoi gjithashtu se do të hartohet një program i posaçëm për mbrojtjen e familjes shqiptare, në bashkëpunim me ekspertë socialë, institucione dhe komunitete.
“Aleanca për Shqiptarët qëndron përkrah çdo nëne, çdo fëmije dhe çdo familjeje shqiptare që lufton për dinjitet dhe një të ardhme më të mirë. Sepse pa familje të forta, nuk mund të kemi një komb të fortë,” përmbylli Taravari.
















