Lajme
SKEMA/ Si çau Sokol Tasha në Bulqizë, ERE nis procedurat e licencimit për Solar Park Gjoricë: Banorët gati për protesta, projekti në pikëpyetje

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat e licencimit për prodhim të energjisë elektrike të kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk, për një park fotovoltaik me kapacitet 35.6 MW në Gjoricë të Bulqizës.
Vendimi u mor më 12 gusht 2025, me miratim për nisjen e procedurës për licencim të impiantit në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë.

Në dukje, një procedurë standarde për çdo impiant të ri.
Por, ndryshe nga shumë projekte të tjera, ky park pasqyron një kombinim interesash ekonomikë e politikë, të lidhur me skema të organizuara nga Tirana dhe që kanë shkaktuar reagim të fortë lokal.
Më 23 shkurt 2024, Bashkia Bulqizë i kaloi në përdorim Sokol Tashës 42.5 hektarë tokë për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

Tasha, një biznesmen lokal me xhiro modeste, mori licensën përmes kompanisë “Gjorica Solar Park”, themeluar në nëntor 2023. Me lidhjet e tij fisnore dhe kontaktet në Bashkinë Bulqizë, ai zbuti rezistencën lokale dhe bëri të mundur zhvillimin e dëgjesës publike, pas së cilës bashkia miratoi kalimin e tokës.

Bashkia publikoi foto nga takimet me banorët, ku projekti prezantohej si investim i Sokol Tashës. Banorët mendonin se po mbështesnin një “djalë të zonës”. Por, në prill 2024, Tasha i shiti 97% të aksioneve të “Solar Park Gjoricë” Marin Gjonajt, i cili sot zotëron rreth 77% të aksioneve të kompanisë mëmë “Infotelecom SolarPark4”.

Partnerë në këtë projekt janë edhe turqit e Adame Mühendislik Enerji SAN. TIC. LTD. STI, me 20% të aksioneve. Kompania turke ka bazën në Adana, por në faqen e saj nuk ka informacion mbi projektin e Bulqizës.
Lëvizja e Tashës, e cilësuar nga burime lokale si “prerje në besë”, shkaktoi zemërim në zonë. Edhe pse të gjitha lejet janë marrë, ndërtimi nuk ka nisur ende.

Kompania u shpall fituese e tenderit të zhvilluar nga MIE duke ofruar një çmim prej 39.7 euro/ MW orë. Por pas entuaziazmit të fillimit,burime bëjnë me dije se kjo ofertë është konsideruar tepër e ulët dhe rrezikon seriozisht projektin, i cili për shkak të detyrimeve kontraktuale të kredisë duhet të mbyllet deri në fund të këtij viti.



















