Religjion
SHPRESA E GJATË ËSHTË SHKAK PËR HARRESËN E AHIRETIT

Shpresa e gjatë e bën njeriun ta harrojë ahiretin, ndërsa ndjekja e pasioneve e largon nga e vërteta.
Pejgamberi (savs) ka thënë:
“Më së shumti për çka unë frikësohem për ju janë shpresa e gjatë dhe ndjekja e pasioneve!”
Gjithashtu Pejgamberi (savs) ka thënë:
“Tri gjendje i konfirmoj për tre persona: Për atë që ia mësynë kësaj bote, atë që e dëshiron fort këtë botë, dhe atë që bëhet dorështrënguar për shkak kësaj bote;
(1) varfërinë pas së cilës nuk do të vijë pasuria,
(2) preokupimin pas së cilit nuk do të vijë koha e lirë, dhe
(3) brengosjen pas së cilës nuk do të ketë lehtësim!”
Kur Ebu Derdai (r.a.), kishte ardhur në qytetin Hims (në Siri), banorëve të tij u kishte thënë:
“A nuk u ju vjen turp:
– të ndërtoni atë ku nuk do të jetoni;
– të shpresoni atë që nuk do ta përjetoni; dhe
– të grumbulloni atë që nuk do ta hani?!
Ata që ishin para jush ndërtuan objekte të forta, grumbulluan shumë pasuri dhe patën shpresa të gjata, por shtëpitë e tyre u bënë varre, shpresat e tyre u dëshmuan se ishin mashtrime, kurse pasuritë e tyre ishin fatkeqësi!” (Gazaliu)
Përktheu: Miftar Ajdini
(Islampress)






















