Connect with us

Lajme

Rilindja Urbane nr. 2 me qytete në koma pas Rilindjes Urbane nr. 1

Publikuar

Ashtu si me Paketën e Maleve, të cilën kryeministri Rama e promovon pa thënë se ç’rezultat arriti projekti i “100 fshatrave”, dukshëm një dështim, pasi po të kishte patur qoftë dhe një model suksesi do na kishte çarë veshët, ngjashëm po promovon dhe të ashtuquajturën Rilindje Urbane nr. 2, pa thënë se ç’efekte pati Rilindja Urbane nr.1, ajo e nisur që në vitin e dytë të qeverisjes, me shdërrimin apo shërimin estetik të qendrave të qyteteve. Sipërfaqësisht ishte një inisiativë pa të sharë, revolucionare madje, e cila tentonte kurimin e shëmtisë urbane të akumuar në vite. Por ideja u mbrojt dhe me arsye substanciale; estetikja do ishte dhe një motor ekonomie për qytetet me ekonomi anemike. Por sot pas kaq vitesh, mjafton në vëshgim me sy të lirë për të dalluar një tjetër dështim: estetikja i ngjan një varri të mermertë, punuar me mjeshtëri, me vdekjen brenda.

Qytetet me qendra majolike të Ramës janë shndërruar në varreza urbane, në asfiksi të plotë sociale dhe ekonomike, duke vënë në dyshim vetë ekzistencën e tyre, ngjashëm si të fshatrave. Ja, kjo është emergjencë, kombëtare madje, të cilat meritojnë operacione qeveritare në nivel pagjumësie, si të kishte rënë një tërmet, ku kryeministri detyrohej të mos bënte qoftë dhe një orë gjumë e ta mblidhte qeverinë në 6.00 të mëngjesit për t’u angazhuar me një fatkeqësi.

Sot Shqipëria është vërtet nën një fatkeqësi, ku qytetet, ato të nivelit të dytë e tretë kanë rënë në një koma të thellë urbane, pa shpresë zgjimi. Ndërsa kryeministri zgjedh beteja me zënës të hapësirave publike, ku një ndër tre raste meriton shkulje, e ku siç ndodh në çdo lloj aksioni shpallur prej tij, i njomi digjet lehtësisht me të thatin, pa llogaritur anën tjetër, shpërthimin e një vale korruptive me pronarë që bëjnë gati shukun e parave nën dorë e inspektorë shteti që fërkojnë duart gati për të marrë atë që i jep kuptimin e vërtetë detyrës së tyre – bërjen e ndonjë leku.

Kryeministri vijon të promovojë me zell, tashmë të dalë boje, aksionin ku prishen struktura, që medemek kanë cenuar kualitetin e jetës urbane, me një shpërfillje ulëritëse të ligjit, ndërkohë që vetë jeta shqiptare, në të tjera dimensione të ndjeshme të saj, përçon gjendje alarmi. Kryesor është alarmi i zhbërjes së një shoqërie prej ikjeve frenetike, së cilës i është vrarë shpresa, jo nga zënia e rrugës prej aksh lokali apo aksh gomisterie, por nga një qeverisje gjithë mbrapshti e dështime, e cila mishërohet dhe nga fakti se shkon e bëhet mik me Izraelin bash në kohën kur ky shtet kryen gjenocid mbi një popull. S’mund të ndodhë ndryshe: s’mund të jesh shërbëtor i vyer i popullit tënd teksa lidh aleancë me shtete që vrasin popuj!

 

NA NDIQ NË FACEBOOK