Lajme
REAGIM NGA INICIATIVA PËR REFORMA NË BFI: Mbrojmë figurën e hoxhë Jakup ef. Asipit

Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj disa deklaratave të fundit, të cilat i konsideron si përpjekje për të cenuar nderin dhe figurën e ndritur të hoxhë Jakup ef. Asipit (Allahu e mëshiroftë).
Në deklaratën e nënshkruar nga Prof. Dr. Bejadin Ameti, theksohet se hoxhë Jakupi nuk ishte vetëm një prijës fetar, por një personalitet i rrallë që përfaqësonte urtësinë, drejtësinë dhe përkushtimin ndaj vlerave fetare dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Hoxha Jakupi ishte një njeri që në kohët më të vështira nuk u tërhoq, por qëndroi në ballë të shoqërisë me dinjitet dhe maturi. Ai ishte ndër ata që e lidhën besimin me angazhimin për liri, çka e dëshmoi me pjesëmarrjen në radhët e UÇK-së gjatë vitit 2001”, thuhet në reagim.
Iniciativa dënon çdo përpjekje për të zbehur kontributin e tij dhe e cilëson këtë si jo vetëm të padrejtë, por edhe të rrezikshme për shoqërinë.
“Të njollosësh një njeri që ka shërbyer me nder për dekada të tëra është tentativë për të cenuar trashëgiminë morale dhe shpirtërore që na ka lënë brezi i njerëzve të ndershëm”, thuhet më tej.
Në përmbyllje, Iniciativa për Reforma në BFI u bën thirrje të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë të mos heshtin përballë fyerjeve ndaj figurave të tilla, duke rikujtuar se nderimi i kujtimeve të hoxhallarëve dhe dijetarëve të devotshëm është pjesë e ruajtjes së identitetit dhe dinjitetit kolektiv.
“Zoti e mëshiroftë hoxhë Jakupin ef. Asipin dhe na bëftë prej atyre që mbrojnë të vërtetën dhe kujtimin e të ndershmëve!” – përfundon reagimi i nënshkruar nga Prof. Dr. Bejadin Ameti.















