Lajme
Raketat e reja ruse, Evropa brenda rrezes së veprimit

Rusia ka prodhuar raketa të reja hipersonike dhe të parat do të vendosen në Bjellorusi këtë vit, njoftoi presidenti Vladimir Putin në një takim me homologun bjellorus Alexander Lukashenko.
Putin kërcënoi Perëndimin se sistemi i ri i raketave mund të përdoret kundër aleatëve që lejuan ukrainasit të përdorin raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar territorin rus.
Komandanti i forcave raketore ruse pretendoi se raketa e re, e cila mund të mbajë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, e ka të gjithë Evropën brenda rrezes së veprimit.
Putin tha se sistemi i ri i raketave ka koka të shumëfishta bërthamore, që arrijnë shpejtësi deri në Mach 10, është imune ndaj përgjimit dhe është aq i fuqishëm sa mund të krahasohet me një sulm bërthamor.
Raketat me rreze të mesme veprimi mund të arrijnë objektiva 500 deri në 5,500 kilometra larg, raporton CNN. Ato u ndaluan sipas një traktati për kontrollin e armëve të Luftës së Ftohtë që Uashingtoni dhe Moska e braktisën në vitin 2019.
Forcat ruse kanë përdorur tashmë territorin bjellorus për të pushtuar Ukrainën, dhe Rusia dhe Bjellorusia shpesh zhvillojnë ushtrime të përbashkëta ushtarake.
I ulur pranë Lukashenkos, Putin njoftoi se të dy ushtritë kishin zgjedhur tashmë vendet për raketat balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik (Lajthi).
“Punimet përgatitore janë duke vazhduar dhe me shumë mundësi do t’i përfundojmë ato para fundit të vitit”, theksoi ai. Ai shtoi se grupi i parë i raketave Oresnik është tashmë në dispozicion të ushtrisë ruse.
Rusia e testoi për herë të parë raketën Oreshnik gjatë një sulmi në qytetin ukrainas të Dniprosë më 21 nëntor, kur ata shënjestruan një fabrikë ushtarake të epokës sovjetike. Ata e justifikuan sulmin si hakmarrje sepse ukrainasit përdorën raketa amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar territorin rus.
Analistët ushtarakë perëndimorë besojnë se Oreshnik është një version i përmirësuar i raketës ruse RS-26, e njohur edhe si Rubezh, e prodhuar për herë të parë në vitin 2011. Presidenti rus Putin, nga ana tjetër, pohoi se raketat e reja janë aq të fuqishme sa përdorimi i njëkohshëm i disa Oreshnikëve në të njëjtën kohë mund të jetë po aq shkatërrues sa një sulm bërthamor.
Vendosja e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, e cila ndan një kufi prej 1,084 kilometrash me Ukrainën, do t’u lejonte avionëve dhe raketave ruse të arrinin objektiva të mundshëm më lehtë dhe shpejt.
Gjithashtu zgjeron aftësinë e Rusisë për të goditur disa anëtarë të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore. Bjellorusia tashmë ka një pjesë të arsenalit bërthamor taktik të Rusisë. Lukashenko njoftoi në dhjetor se raketat numëronin disa dhjetëra. /tesheshi.com/


















