Connect with us

Religjion

Në çka e ke shpenzuar jetën?

Publikuar

Dita e Gjykimit mund të jetë dita e triumfit dhe fitores tënde, por mund të jetë edhe dita e poshtërimit dhe pendimit. Ajo është dita kur Allahu i Lartësuar do të të pyesë për jetën tënde – në çka e ke shpenzuar. Vdekja, vdekja jote, mund të jetë për ty bajram, ashtu siç do të jetë për besimtarët dhe bamirësit, por mund të jetë edhe fillimi i vuajtjes së pamasë dhe të përhershme. Vdekja është çasti kur njeriut i kthehen të gjitha pamjet e ruajtura në kujtesë dhe i rishfaqen. Kur të kujtosh gjithçka që ke përjetuar në jetë, atëherë do ta shohësh se në çka e ke shpenzuar jetën.

Jeta jonë është kohë. Ajo është një grumbull ditësh dhe sa herë që kalon një ditë, humbet një pjesë nga ne. Koha që na është dhuruar për ta kaluar këtu në këtë botë është një mirësi, për të cilën do të pyetemi. Jemi të obliguar që të ruhemi nga pakujdesia ndaj kohës. Duhet të mendojmë për vdekjen dhe të përpiqemi që gjithmonë të jemi të përgatitur për të. Meleku i vdekjes (Azraili) mund të vijë në çdo çast.

Koha është si shpata: nëse nuk e merr fort në duar, nëse nuk e përdor si armë në luftën tënde për një vend në ahiret, ajo shpatë – koha – do të bëhet armiku yt. Çfarë do të thuash kur Zoti të të pyesë: Në çka e ke shpenzuar jetën?

Allahu i Lartësuar është betuar në kohë apo në pjesë të kohës. Këtë e ka bërë për të na tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e saj: “Pasha kohën!” (El-Asr, 1);“Betohem në shkëlqimin e paraditës – dhe në natën kur terret e qetësohet.” (Ed-Duha, 1-2); “Betohem në muzgun e agimit – dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!” (El-Fexhr, 1-2); “Për natën që mbulon (me terr), – për ditën që agon.” (El-Lejl, 1-2).

Koha është vetë jeta, dhe ata prej nesh që nuk e kanë kuptuar vlerën e saj dhe që nuk e përdorin atë për bindje ndaj Allahut dhe për vepra të mira, ata janë në humbje të madhe. Imam Ibn Kajjimi, duke folur për rëndësinë e kuptimit të drejtë të kohës, thotë:
“Koha është jeta e njeriut. Prej saj varet edhe jeta e përjetshme. Nga mënyra se si e shfrytëzon kohën këtu, varet nëse përjetësia jote do të jetë kënaqësi e pandërprerë apo jetë e vështirë dhe vuajtje e dhimbshme. Jeta kalon si re. Ajo që njeriu e kalon në këtë botë në bindje ndaj Allahut, kjo është jetë. Çdo gjë tjetër përveç kësaj nuk konsiderohet jetë, sado e gjatë që të jetë. Nëse njeriu jetën e kësaj bote e kalon në pakujdesi, hutim dhe dëshira boshe, ndërsa gjëja më e mirë që bën është gjumi dhe kotësia, për njeriun e tillë më e mirë është vdekja sesa jeta.” Në këtë kontekst kuptohet edhe dialogu mes Krijuesit dhe jobesimtarëve. Krijuesi do t’i pyesë: ”Sa vjet keni qëndruar në Tokë?” – Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite. Pyesni ata që i kanë numëruar!” (El-Mu’minun, 112-113).

Edhe pse ke kaluar gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vjet në Tokë, nëse nuk jeton në bindje ndaj Krijuesit dhe nuk e shfrytëzon kohën në mënyrë të drejtë, nëse e harron Ahiretin dhe u dorëzohesh epsheve, ti do ta ndieshë shkurtësinë e kohës dhe të viteve të tua të shpenzuara kot.

I Dërguari (savs) thotë: “Allahu i Madhëruar e urren çdo mendjemadh, arrogant, zhurmëmadh, që e kalon kot kohën nëpër tregje, udhëkryqe dhe rrugë, i cili natën është si një kufomë, ndërsa ditën si një gomar.” Ai e njeh përkohshmërinë e kësaj bote, por për botën tjetër nuk bën asgjë.” (Ibn Hibani). Të shumta janë hadithet në të cilat i Dërguari (savs) e thekson rëndësinë e kohës si për të ardhmen tonë në këtë botë, ashtu edhe për përjetësinë tonë në botën tjetër. Në to, i Dërguari (savs) na nxit që kohën ta shfrytëzojmë dhe kurrsesi të mos e kalojmë në mërzi e kotësi. Ai (savs) thotë: “Nuk do të lëvizë këmba e birit të Ademit para Zotit të tij, pa u pyetur për pesë gjëra: 1. për jetën e tij – në çka e ka shpenzuar; 2. për rininë e tij – si e ka kaluar; 3. për kohën e lirë – si e ka përdorur; 4. për pasurinë – si e ka fituar dhe në çka e ka shpenzuar; dhe 5. për atë që ka mësuar – a ka vepruar sipas saj.” (Tirmidhiu).

I Dërguari (savs) i kushton vëmendje të posaçme rinisë, ndonëse ajo është përfshirë tashmë në pyetjen mbi jetën, sepse rinia është pjesë e saj. Por, Pejgamberi (savs) e veçon atë për shkak të rëndësisë dhe rreziqeve që e shoqërojnë këtë periudhë të jetës. Rinia është periudhë e forcës, shëndetit dhe vrullit. Këtë etapë duhet ta shfrytëzojmë dhe të mos lejojmë që të pendohemi për atë që na ka kaluar. Do të thuash: “Munda ta përfundoja shkollën, por e humba kohën. Munda të krijoja familje, por u tregova i shthurur. Munda të martohesha me kohë, por e vonova pa arsye.” Allahu do të të pyesë: Si e kalove rininë? E ti, o i ri, që fle tepër, që e humb kohën para televizorit, që rri pa pushim në rrjetet sociale, që e kalon kohën nëpër kafene, që shkon në bastore duke shpresuar në fitim të lehtë – mendo mirë: Çfarë do t’i thuash Zotit të botëve?

Pejgamberi (savs) paralajmëron: “Dy begati i neglizhojnë njerëzit, shëndetin dhe kohën e lirë.” (Buhariu). Imam Ibn Kajjimi thotë: “Kush e shfrytëzon kohën e tij të lirë dhe shëndetin në bindje ndaj Allahut të Madhëruar, ai është i lumtur. Ndërsa, kush e kalon këtë kohë në mëkate dhe në mosbindje, ai është i mashtruar. Pas kohës së lirë vjen angazhimi, e pas shëndetit – vjen sëmundja.”

Besimtari është i vetëdijshëm për rëndësinë e kohës. Ai nuk e shpërdoron atë në kotësi, sepse aty nuk fiton as dobi të kësaj bote e as të botës tjetër. Omeri (r.a.) thotë: “E urrej të shoh dikë prej jush si përtac, që nuk punon as për këtë botë, e as për botën tjetër.”Besimtari gjithmonë dhe kudo përpiqet ta mbushë kohën e tij me vepra të mira. Ai është i vetëdijshëm se në çdo çast mund ta godasë sëmundja, ta kaplojë vdekja; i vetëdijshëm është se do të vijë pleqëria kur nuk do të mund të bëjë ato që sot, në rini dhe fuqi, mundet. Ja pra, një nxitje që gjithmonë të jemi aktivë në fushën e së mirës, e kurrë në kotësi. Pejgamberi (savs) thotë: “Kur njeriu sëmuret ose shkon në udhëtim, Allahu i Madhëruar ia shkruan atij shpërblimin për atë vepër të mirë që e bënte kur ishte i shëndoshë dhe në shtëpi.” (Buhariu). Ja pse besimtari nuk do të pendohet, as nuk do të mërzitet kur t’i vijë sëmundja, dobësia apo pleqëria, sepse edhe atëherë do t’i shkruhen ato vepra të mira që i bënte kur ishte i aftë për to.

Është e çuditshme që, pavarësisht gjithë këtyre njohurive mbi rëndësinë e kohës, pavarësisht betimeve të Allahut për kohën, në mesin tonë, në mesin e muslimanëve, ka shumë prej atyre që përpiqen ta “vrasin” kohën. Për ta, koha është barrë, prandaj shpikin zbavitje të kota vetëm që t’ju kalojë sa më shpejt. Sikur t’i matnim orët me para, humbja jonë do të ishte me qindra miliarda çdo vit. Sikur ata që e “vrasin” kohën ta dinin se për çdo sekondë do të japin llogari, ata do të garonin në kryerjen e veprave të mira.

Ata që nuk e shfrytëzojnë kohën, duke mos qenë në adhurim dhe punë, do të luten të kthehen sërish në këtë botë, që në mundësinë e dytë ta shfrytëzojnë kohën. Allahu i Madhëruar paralajmëron: “Që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet  ndaj Allahut, madje edhe jam tallur!” – Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm.” – Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë!” – (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë.” (Ez-Zumer, 56-59).

Që të mos bëhemi prej atyre që kërkojnë një rast të dytë për ta kuptuar kohën e dhënë si begati, le t’u shmangemi ndejave të kota, le të çlirohemi nga mërzia dhe humbja e kohës. Le t’i përkushtohemi punës dhe le të jemi të palodhur. Le t’i përkushtohemi adhurimit dhe diturisë. Mos të lejojmë që përtacia të na pushtojë, as që të kënaqemi në biseda të kota dhe përgojime. Mos të lejojmë që shejtani të na e mbushë kohën e dhuruar, sepse çdo sekondë që kalon nuk do të kthehet më kurrë.

O Allahu i Lartësuar, na bëj të vetëdijshëm për rëndësinë e kohës dhe na ndihmo që ta jetojmë atë në kënaqësinë Tënde. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)