Connect with us

Religjion

Mos e zemëro Krijuesin

Publikuar

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Pasi që Allahu i krijoi krijesat, Ai e shkroi në Librin e Vet – duke e bërë atë obligim për Veten – e ky libër ndodhet pranë Tij mbi Arsh: ‘Me të vërtetë, mëshira Ime ka paraprirë zemërimin Tim.’” (Buhariu)

Mëshira e Allahut e rrethon njeriun nga të gjitha anët: që nga momenti kur është në barkun e nënës, kur është foshnje, kur ndahet nga gjiri dhe kur bëhet djalë i ri – e të gjitha këto pa bërë asnjë vepër në bindje ndaj Allahut. Zemërimi i Allahut nuk e godet njeriun, përveçs nëse ai vetë paraprakisht e ka kryer ndonjë mëkat që e shkakton (zemërimin). Mëshira e Allahut u jepet njerëzve në këtë botë edhe pa merita, ndërsa zemërimi i Tij vjen vetëm me meritë – për shkak të mëkatit.

Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun që ta besojë Atë, të bëjë vepra të mira dhe për këto ta shpërblejë me lumturi të përjetshme. Ndërsa për ata që nuk besojnë dhe bëjnë mëkate, është përgatitur dënim – ata do të privohen nga lumturia e përjetshme.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t’i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa i përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar.” (Junus, 4)

Të gjithë njerëzit do të kthehen te Zoti i tyre dhe të gjithë do të ringjallen. Kjo është e qartë, sepse në ajetet e qarta është sqaruar cila është detyra e njeriut në këtë botë. Gjithashtu i është treguar se nga çfarë duhet patjetër të shmanget, për të mos u bërë shënjestër e zemërimit të Allahut.

Imam Gazaliu thotë: “O njeri, nëse dikush që e beson plotësisht të premton se do të kalosh njëzet vjet në rehati, pasi të kesh kaluar një muaj, madje edhe një vit, duke duruar vështirësi dhe poshtërime, ti do të ishe i gatshëm ta pranoje menjëherë. Atëherë, përse nuk përpiqesh në këtë jetë të shkurtër duke menduar për pushimin e përjetshëm të Ahiretit? Mos ki shpresa të gjata, o njeri, sepse ato do ta vështirësojnë përgatitjen për Ahiret. Shfrytëzoje ditën e sotme duke i thënë vetes: ndoshta kjo është dita ime e fundit. Me të vërtetë, vdekja mund ta godasë çdo njeri në çdo çast. Mos i jep përparësi kësaj bote ndaj botës tjetër, sepse e di vetë se në këtë botë do të rrish shumë shkurt.”

Sa njerëz, duke u grindur për pasuritë e kësaj bote, kanë shkaktuar zemërimin e Allahut? Asgjë nga kjo botë nuk duhet të jetë më e vlefshme për besimtarin sesa dëshira për mëshirën e Mëshiruesit. Ashtu si në kohën e injorancës (xhahilijetit), që njerëzit adhuronin idhuj dhe jetonin nën zemërimin e Allahut, edhe sot – në çdo kohë, përfshirë edhe kohën tonë – ekzistojnë “idhuj” që na largojnë nga rruga drejt pushimit të përjetshëm të Ahiretit.

Transmetohet se sahabiu i njohur Ebu Dherri (r.a.), para se të pranonte Islamin, adhuronte një idhull. Një ditë u përgatit për udhëtim dhe iu drejtua idhullit të tij: “Të lutem ruaje pasurinë time në mungesën time.”Pasi u largua, një dhelpër erdhi dhe bëri nevojën mbi kokën e idhullit të tij. Kur Ebu Dherri u kthye dhe pa çfarë kishte ndodhur, tha: “Si mund të jetë zoti im dikush mbi kokën e të cilit dhelpra bën nevojën?! Sikur të ishte me të vërtetë zot, do ta kishte mbrojtur vetveten. Nuk ka mirësi në një zot që ka nevojë për dikë që ta ruajë. Unë po largohem nga idhujt dhe po i drejtohem Zotit të vërtetë të gjithësisë, Allahut të Madhëruar.”

Nuk ka asgjë në këtë botë për të cilën ia vlen ta zemërosh Krijuesin tënd. Ti e zemëron Atë kur grindesh me fqinjin, me vëllain, me një njeri – për gjëra të përkohshme. Vëllezër të dashur, shikoni sa shumë ara, livadhe e kopshte janë lënë pas dore nëpër fshatrat tona – e megjithatë nuk është e rrallë që dy vëllezër, dy muslimanë, të jetojnë nën zemërimin e Allahut për shkak të një gardhi, për shkak të një grindjeje për pronë, për shkak të marrëdhënieve të prishura sepse, sipas njërës palë, ndarja e pasurisë nuk ka qenë e drejtë.

A është me të vërtetë e vlefshme ndonjë ndërtesë, ndonjë gjë që ti e ndërton në kurriz të fqinjit tënd? Duke ia zënë pamjen, duke ia shkelur privatësinë? Shiko përreth: çfarë pronarësh të mëdhenj kanë ekzistuar para teje, por sot nuk ka mbetur as gjurmë prej tyre as prej pasurisë së tyre. Kanë mbetur vetëm disa toponime që mbajnë emrat e tyre – si kujtesë për ne mbi përkohshmërinë e kësaj bote dhe pavlerësinë e saj. Veprat e mira nuk i mbulon myshku – ato janë të përhershme dhe ruhen tek Zoti i botëve.Gjithçka tjetër për të cilën, nga lakmia, shpeshherë nuk arrijmë të përmbahemi dhe për shkak të së cilës e zemërojmë Allahun, është e pavlefshme.

A janë me të vërtetë më të vlefshëm pesëmbëdhjetë minuta gjumë sesa namazi i sabahut? Namazi është rruga drejt mëshirës, ai na udhëheq drejt pushimit dhe lumturisë së përjetshme në Ahiret.Ata që nuk zgjohen, përkundër thirrjes së qartë se “namazi është më i mirë se gjumi”, shkaktojnë zemërim. Të jesh në gjendje, të kesh mundësi, e të mos veprosh atë që Allahu urdhëron – kjo e zemëron Krijuesin.

Madje, edhe të jesh indiferent, i heshtur përballë devijimeve në shoqëri, të mos këshillosh, të mos paralajmërosh – kjo është rruga drejt zemërimit të Allahut dhe shkatërrimit tonë. I Dërguari i Allahut (savs) thotë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ose do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose Allahu do t’ju dërgojë ndëshkim, dhe do të luteni e Ai nuk do t’ju përgjigjet.” (Tirmidhiu) “Nëse një njeri kryen një mëkat dhe bashkëkombësit e tij nuk e ndalojnë atë, ndërkohë që janë në gjendje ta bëjnë këtë, Allahu do t’i ndëshkojë të gjithë para se të vdesin.” (Ebu Davudi)

O Zoti i Lartësuar, të lutemi na ndihmo në rrugën e së mirës dhe na mbro nga zemërimi Yt! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK