Maqedoni
Ministri Durmishi thirrje për mobilizim para zgjedhjeve lokale

Sot, pas shpalljes zyrtare të zgjedhjeve lokale, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka reaguar me një postim ku ka kujtuar sfidat dhe fitoret e koalicionit VLEN gjatë 15 muajve të fundit.
Në mesazhin e tij, Durmishi ka renditur një sërë parashikimesh dhe deklaratash që, sipas tij, janë hedhur poshtë nga realiteti politik:
“Nuk bëhemi bashkë, u bëmë.”
“Nuk fitojmë, fituam me 107 mijë vota të pastra shqiptare dhe i nxorëm jashtë Qeverisë.”
“Do dalin në janar, dolën vetë nga loja, duke hyrë në lista të zeza.”
“Nuk mbërrijnë deri në lokale, sot kemi kandidatët tanë, secili më i mirë se tjetri.”
Durmishi ka akuzuar kundërshtarët politikë se “duke na hapur kurthe, ranë vetë brenda” dhe ka theksuar se “ne u bashkuam nga ideali, ata nga interesi”.
Ai ka ironizuar ndryshimin e emrit të “Frontit Evropian” në “Aleanca Kombëtare për Integrim”, duke thënë se mjafton të shihet “safi i parë” për të kuptuar realitetin, dhe ka përmendur edhe deklaratat e analistit Baton Haxhiu për rolin e Ali Ahmetit.
Durmishi ka mbyllur reagimin e tij me thirrjen: “19 tetori është dita e fitores së madhe gjithandej! #VLEN për çdo komunë!”.
















