Lajme
Media gjermane: Ja ku ia vlen blerja e pasurive të paluajtshme në Evropën Juglindore

Handelsblatt shkruan për interesin në rritje për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ku turizmi, çmimet e ulëta dhe perspektiva e BE-së po stimulojnë investimet dhe zhvillimin e tregut.
Në Mal të Zi, ish-fortesa Mamula, e njohur për historinë e saj të errët, është shndërruar në një hotel luksoz. Në Rivierën Shqiptare, pranë Vlorës, është ndërtuar kompleksi ekskluziv Green Coast, ndërsa një projekt ambicioz për rindërtimin e portit kryesor po zbatohet në Durres, duke përfshirë një marinë luksoze dhe një qendër banimi dhe mikpritjeje, shkruan Handelsblat, duke theksuar se rrjetet e mëdha hoteliere si Hilton, Marriott dhe Intercontinental po investojnë gjithnjë e më shumë në rajon, gjë që interpretohet si një shenjë besimi në potencialin e tij turistik, shkruan DW.
“Lista e projekteve dhe ndërtimeve të reja në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut vazhdon,” thekson Handelsblatt.
Teksti thekson se ndryshimet janë të dukshme dhe citon Erion Metojën e Albania Imobilien Invest, i cili thotë: “Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është zhvilluar tashmë mirë, shitjet janë trefishuar deri në katërfishuar.”
“Megjithatë, çmimet janë ende relativisht të ulëta. Këto tregje konsiderohen ende si perlat e fshehura të Evropës dhe këto vendet janë gjithnjë e më të njohura në mesin e turistëve”, shkruan gazeta, duke vënë në dukje se “në vitin 2024, rreth 11.7 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë, që është një rritje prej 15 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Turizmi në Shqipëri përbën rreth një të katërtën e produktit të brendshëm bruto (PBB), shkruan Handelsblat, duke shtuar se një pjesë e ngjashme e turizmit në PBB është regjistruar edhe në Mal të Zi.”
“Rritja ekonomike është e dukshme: ekonomia shqiptare duhet të rritet me rreth 2.4 përqind këtë vit, në Mal të Zi rreth 3 përqind dhe në Maqedoninë e Veriut 3.2 përqind.”
Teksti thotë se negociatat për pranimin në BE po nxisin më tej optimizmin në tregun e pasurive të paluajtshme në rajon. “Analistët tregojnë një paralele me Kroacinë, ku çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur pas zhvillimit të turizmit dhe hyrjes në BE.” Në veçanti, në Shqipëri, investitorët tërhiqen nga një kombinim i kërkesës në rritje, çmimeve të favorshme dhe ofertës së kufizuar në vende tërheqëse. “Investitorët tërhiqen nga një kombinim i kërkesës turistike në rritje, çmimeve të ulëta fillestare dhe ofertës së kufizuar në vendet bregdetare tërheqëse”, tha për Handelsblatt Andreas Gerler, menaxher në Velinvest Pruške & Kalm GmbH.
Gjithashtu vëren se “çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendndodhjes. Në veri, ato variojnë midis 1,000 dhe 1,500 euro për metër katror, ndërsa në qendrat turistike jugore mund të arrijnë 5,000 deri në 6,000 euro”, thotë Metoja. Teksti thotë më tej se në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, “apartamente të reja mund të blihen për 1,500 deri në 2,500 euro për metër katror”. “Në Mal të Zi, në Kotor ose Dobra Voda, apartamentet mund të gjenden në një gamë të ngjashme çmimesh, ndërsa shtëpitë me pishinë kushtojnë midis 500,000 dhe 750,000 euro”, shkruan Handelsblatt.
Gazeta paralajmëron se blerja e pronës jashtë vendit nuk është e lehtë. “Gerler këshillon të shmangen blerjet e pavarura ose portalet online: ‘Gjithmonë punësoni një agjenci që i njeh rregulloret ligjore në vend dhe që mund të ofrojë kontrata dhe shpjegime në gjermanisht’.”
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për “rreziqet ligjore, rregulloret e mundshme mjedisore dhe mungesën e likuiditetit, të cilat mund të përbëjnë problem për rishitjen”.
“Megjithatë, kush i afrohet me kujdes dhe punon me një partner të besueshëm, jo vetëm që mund të zbulojë destinacione tërheqëse pushimesh, por edhe të përfitojë nga rritja e mundshme e vlerave të pasurive të paluajtshme”, përfundon autori Gerd Hibner në gazetën Handelsblat. /tesheshi.com/


















