Lajme
Me kërkesë të Limanit, Presidentja Siljanovska fal dy të dënuar me rastin e 2 Gushtit

Një akt me simbolikë të thellë njerëzore është realizuar me rastin e festës shtetërore 2 Gushti – Ilindeni. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ka dhënë falje të plotë për dy persona të dënuar nga Burgu i Kumanovës, në bazë të kërkesës zyrtare të dorëzuar nga zëvendësdrejtori i institucionit, Ylber Limani.
Bëhet fjalë për Z.M nga fshati Çerkez dhe N.K nga Kumanova, të cilët kanë qenë të sistemuar në repartin e hapur në Kriva Pallankë dhe gjatë qëndrimit të tyre kanë dëshmuar sjellje shembullore, përkushtim dhe vullnet për rehabilitim. “Falja nuk është dobësi, por vlerësim për ndryshimin. Ky duhet të jetë një model që do ta zhvillojmë edhe më tej, një drejtësi që ndëshkon, por edhe fal kur ka arsye të vërteta njerëzore”, ka theksuar Limani në njoftimin e tij.
Sipas tij, ky vendim është rezultat i bashkëpunimit korrekt me institucionet përkatëse dhe është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe parimet humane të sistemit penitenciar.





















