Connect with us

Religjion

LE TA NDEROJMË PEJGAMBERIN (SAVS) ME JETËN E BESIMTARIT

Publikuar

Na erdhi muaji rebiu-l-evvel. Në këtë muaj lindi Muhamedi (alejhi’s-selam). Ishte ditë e hënë kur lindi, ishte ditë e hënë edhe kur u dërgua si pejgamber. Ai na u dërgua me Librin dhe Urtësinë, me Kitab dhe Hikmet, që të na tregojë rrugën e drejtë dhe ta nxjerrë njerëzimin nga errësirat në dritë. Ai na e tregoi këtë me jetën e tij, dhe këtë e dëshmon Aishja (radijallahu anha), e cila e përshkroi jetën e tij si “Kurani i gjallë”; jeta e tij ishte Kuran i shndërruar në praktikë.

Mësimin e Kuranit atij ia mësoi vetë Allahu. Ai e urdhëroi: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!” (El-Kijame, 18) I mësuar nga Allahu, ai e mësoi dhe neve na nxiti që ta mësojmë Kuranin, duke na thënë se për çdo shkronjë të lexuar kemi dhjetë shpërblime. Përveç që na inkurajoi ta mësojmë, ai na nxiti që edhe të tjerët t’i mësojmë, duke thënë se më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson edhe të tjerëve.

Kur e citojmë dhe e dëgjojmë këtë hadith, kryesisht kuptimin e tij e kufizojmë vetëm në mësimin e leximit të Kuranit, shqiptimin e saktë të shkronjave, tedxhvidin… Është e padrejtë ndaj këtij hadithi që të kufizohet mesazhi dhe kuptimi i tij vetëm për ata që i mësojnë dhe lexojnë ajetet kuranore. Pas urdhrit që ta ndjekë leximin e Xhibrilit, Allahu i Madhëruar i thotë Pejgamberit (savs) se pas leximit vjen edhe shpjegimi i ajeteve. Kur të na shpjegohen ajetet, atëherë kuptojmë se qëllimi i Kuranit është që ai të bëhet për ne udhëzim, këshillë, dritë, qortim dhe paralajmërim.

Rebiu-l-evveli është koha kur ne e nderojmë Pejgamberin, i dërgojmë salavate dhe kjo është mirë, sepse për çdo salavat që dërgojmë, Allahu neve na jep dhjetë. Këndojmë mevlude dhe ilahi ku shprehet gëzimi për ardhjen e Pejgamberit (savs), edhe kjo është mirë, sepse edhe Ebu Lehebit – siç transmeton Buhariu – çdo natë të hënën i lehtësohet pak dënimi në zjarr, kur i jepet ujë sa bart një gisht, për shkak të gëzimit që shfaqi kur i lindi nipi Muhamedi.

Por ajo që do të na afrojë te Pejgamberi (savs) dhe do të na bëjë të njohur pranë tij në ahiret është detyra jonë që ta nderojmë atë me jetën e besimtarit. Hadithi që thotë se më i miri prej nesh është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson edhe të tjerëve, e nënkupton edhe nxënësin edhe studentin që mësojnë me zell dhe fitojnë dituri, sepse po zbatojnë urdhrin kuranor dhe pejgamberik. E dimë se ai, alejhi’s-selam, ka thënë se kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman e muslimane. A po e mëson Kuranin me sjelljen e tij një nxënës dhe një kërkues i tillë i diturisë?

Ky hadith, se më i miri mes nesh është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson edhe të tjerëve, nënkupton që edhe mësuesi edhe mësuesja të cilët me përkushtim japin mësim, duke e përmbushur amanetin e transmetimit të dijes, me sjelljen e tyre e nderojnë Pejgamberin (savs). Kjo, sepse Pejgamberi (savs) ka shpjeguar se transmetimi i dijes është zekati i dijes dhe gjithashtu ka thënë se nëse e shpëton një njeri, një fëmijë nga rruga e gabuar, është më mirë për ty se sa kjo botë dhe gjithçka që ka në të.

Kuranin e mëson dhe ua mëson edhe të tjerëve edhe mjeku edhe mjekja që me kujdes sillen me pacientët, i presin me fjalë të bukura, i shoqërojnë me buzëqeshje dhe e kryejnë punën e tyre më së miri. A nuk është edhe ky mësim i Kuranit dhe nderim i Pejgamberit (savs) me jetën e besimtarit? Sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush e ndihmon vëllanë e tij në nevojë, Allahu do t’ia largojë nevojat e tij në Ditën e Gjykimit.”

Kuranin e mëson dhe ua mëson edhe të tjerëve edhe nëna amvise, e cila kujdeset për edukimin e fëmijëve dhe e mbjell kopshtin e saj. Ajo me punën e saj tregon se si shndërrohet fjala e Kuranit në praktikë. A nuk ka thënë Pejgamberi (savs) se nuk ka dhuratë më të mirë për fëmijën sesa  edukimi i mirë – dhe, a nuk kemi mësuar prej tij se kush e ringjall tokën ka shpërblim, dhe kush mbjell diçka, për të ka sadaka?

Kuranin e mëson dhe ua mëson edhe të tjerëve, dhe me jetën e tij, me jetën e besimtarit, e nderon Pejgamberin (savs), gjithashtu edhe ai që e kryen me përgjegjësi funksionin e marrë përsipër në shoqëri, dhe që kujdeset vazhdimisht për të mirën tonë të përbashkët. Ai, qoftë kryetar përgjegjës, kryeministër, deputet, apo qoftë nëpunës i komunës, e nderon Pejgamberin (savs) me jetën e besimtarit, nëse është i vetëdijshëm për detyrimin e marrë përsipër dhe për përgjegjësinë për të në Ditën e Gjykimit. Amaneti i marrë përsipër është një barrë e papërshkrueshme nëse nuk përmbushet. “Nuk ka besim ai që nuk e përmbush amanetin e marrë”, kështu flet Pejgamberi (savs). Kuranin e mëson dhe të tjerëve ua mëson çdo pasues i Pejgamberit që duke e jetuar fenë e nderon Pejgamberin (savs), i cili e zbaton atë që e ka urdhëruar Pejgamberi dhe e braktis atë që e ka ndaluar ai.”

Rebiu-l-evveli është muaji kur lindi Pejgamberi (savs). Ne gëzohemi për ditët e rebiu-l-evvelit sepse e duam Pejgamberin (savs), ndërsa hutbet e rebiu-l-evvelit na ndihmojnë që këtë dashuri ta shprehim drejt dhe ta dëshmojmë qartë. Edhe kjo hutbe e ka këtë qëllim.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që ta nderojmë Pejgamberin (savs) me jetën e besimtarit.

Hatib: Izet-ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK