Lajme
Izet Mexhiti: Investimi në shkolla është investim në të ardhmen e fëmijëve

Në prag të vitit të ri shkollor, kandidati i VLEN për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, vizitoi sot shkollën fillore “Tefejjuz” në komunën e Gazi Babës, ku u prit nga një atmosferë e gjallë dhe e përkushtuar ndaj fillimit të procesit mësimor.
Shkolla, me rreth 1000 nxënës, zhvillon mësimin kryesisht në gjuhën turke, por edhe me paralele në gjuhën shqipe, duke pasqyruar kështu diversitetin kulturor të komunitetit.
Gjatë vizitës, Mexhiti u njoh nga afër me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së disa problemeve urgjente, si vendosja e kllupave në oborr dhe rregullimi i tavanit të objektit, të cilat janë të nevojshme për sigurinë dhe komoditetin e fëmijëve.
Drejtuesit e shkollës prezantuan gjithashtu draft-projektin “Clean Green Action”, që ka për synim gjelbërimin e oborrit dhe krijimin e hapësirave funksionale për aktivitete jashtë klasës.
“Investimi në shkolla është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë. Çdo nevojë e evidentuar gjatë kësaj vizite do të marrë trajtimin e duhur, në mënyrë që nxënësit e shkollës ‘Tefejjuz’ të nisin vitin e ri shkollor në kushte më të mira dhe më të sigurta,” theksoi Izet Mexhiti./ZYRTARE.net/


















