Lajme
Kush është Feti Abazi, kandidati i VLEN-it për kryetar të Bogovinës?

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka zbuluar detaje rreth kandidaturës së Feti Abazit në Bogovinë, duke theksuar se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr zhvillimin e komunës.
“Fetiu nuk ka nevojë për prezantim të gjatë. Ai është biri i Bogovinës, njeriu që për vite të tëra ka qenë pranë qytetarëve, duke punuar me përkushtim për komunën tonë,” deklaroi Fetai.
I diplomuar në arkitekturë në Universitetin e Tiranës, Feti Abazi ka dhënë një kontribut të çmuar në Sektorin e Urbanizmit të Komunës së Bogovinës, ku ka shërbyer për shumë vite me profesionalizëm.
Sipas zv/kryeministrit Fetai, ai e njeh çdo lagje, çdo fshat dhe çdo sfidë të kësaj komune, sepse ka qenë aty duke planifikuar, zgjidhur dhe, mbi të gjitha, duke dëgjuar.
Aktualisht, si një profesionist i suksesshëm në biznesin privat dhe qytetar i respektuar, Abazi vjen me një vizion të qartë për një Bogovinë më të zhvilluar, transparente dhe gjithmonë në shërbim të njerëzve.
“Me përvojën dhe urtësinë e Fetiut, si dhe me besimin tuaj, Bogovina do të ecë përpara,” përfundoi Fetai.

















