Shqipëri
Drejtori i Policisë vlerëson inspektorin që shpëtoi 3 jetë pas aksidentit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vlerësuar publikisht me Certifikatën për Shërbime të Dalluara inspektorin Klajdi Mustaj. Vlerësimi vjen pas një akti heroik të Mustajt, i cili me guxim dhe profesionalizëm arriti të shpëtonte tre qytetarë që kishin mbetur të bllokuar në një makinë pas një aksidenti të rëndë në aksin rrugor Levan-Fier.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së premtes në Qafën e Koshovicës, ku një automjet tip “Benz” doli nga rruga dhe u përmbys. Në mjet ndodheshin katër persona, tre prej të cilëve mbetën të plagosur. Ndërhyrja e shpejtë e inspektor Klajdi Mustajt ishte vendimtare, pasi ai arriti t’i nxirrte të plagosurit nga makina, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Në mesazhin e tij, Drejtori Proda theksoi se veprimi i inspektor Mustajt tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit. “Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve,” u shpreh Proda.
Ai theksoi se virtyte si angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja e çdo efektivi policor, duke përfaqësuar fytyrën e re të Policisë së Shtetit. Klajdi Mustaj, i cili është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike dhe aktualisht po ndjek studimet “Master”, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për t’u specializuar në detyrën e tij.















