Lajme
Daut Beqiri premton investime dhe dinjitet për Haraçinën

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka shpallur prioritetet e tij qeverisëse nëse merr besimin e qytetarëve, duke vënë theksin tek infrastruktura, arsimi, rinia dhe zhvillimi ekonomik.
Ai u shpreh se Haraçina për tri dekada është përballur me neglizhencë të thellë institucionale. “Nuk është normale që një komunë kaq afër kryeqendrës të mos ketë kushtet më elementare për jetesë. Nuk do ta lëmë Haraçinën në harresë siç është bërë 34 vjet,” tha Beqiri.
Në fjalimin e tij, ai u zotua se me ekipin e tij do të kthejë dinjitetin e komunës. “Prioritet do të jetë vendosja e vlerave dhe parimeve për të zhvilluar biznesin, infrastrukturën, arsimin, sportin dhe kulturën. Qëllimi ynë është Haraçina me standarde evropiane,” u shpreh ai.
Beqiri falënderoi koalicionin VLEN për besimin e dhënë dhe qytetarët për përkrahjen, duke theksuar se “ndryshimi po vjen dhe Haraçina VLEN”./Zyrtare.net/


















