Religjion
Çfarë vlere ka ta fitosh botën nëse e humb veten?

Ed’hem Sherkavi
Dje lexova një histori për një gazetar të New York Times-it, i cili u regjistrua vullnetarisht për të eksperimentuar me inteligjencën artificiale të Microsoft-it.
Gjithçka ishte e bazuar në ekuacione fikse:
Bëje këtë dhe do të marrësh atë! Nëse të thuhet kjo, thuaje atë!
Pa ndjenja, pa emocione, pa gjykime, pa krahasime… Jeta ishte thjesht një mësim matematikor. Pas një kohe, ai filloi të bërtasë:
“Dua të ndaloj tani! Dua të kem ndjenja! Dua të jem njeri!”
O njeri! Kur hyn në jetë, kujdes që të mos shndërrohesh në makinë.
Në rrugën tënde drejt majës së suksesit, mos i shtyp njerëzit për të arritur atje.
Çfarë vlere ka ta fitosh botën, nëse e humb veten?
Në përpjekjen për të fituar para, mos u shndërro në llogari bankare, vlera e së cilës matet vetëm me shifrën që rritet në të.
Në ndërtimin e një shtëpie të bukur, mos harro: Pamja e familjes që jeton aty, është më e rëndësishme sesa pamja e shtëpisë.
Pyete veten:
• Çfarë vlere ka një pallat i gjerë, nëse në kraharorin e banorëve të tij mbretëron ankthi?
• Çfarë vlere kanë dorezat e arta, nëse bëhen pranga për ata që i mbajnë?
Çfarë na bënë njerëz?
Asgjë përveç ndjenjave. Pa to – jemi vetëm makina të ftohta dhe budallaqe.
• Je gur, nëse Kurani nuk të zgjon, dhe nëse nuk ndihesh i lëkundur kur kalon një varrim para teje.
• Je gur, nëse zemra nuk të dridhet kur sheh një fëmijë që dridhet në një çadër refugjatësh.
• Je copë dru i kalbur, nëse shikimi i njerëzve nën rrënoja nuk ta thyen zemrën.
• Je grumbull rrënojash, nëse nuk shpërthen nga zemërimi kur falangat pushtuese sioniste vrasin vëllezërit dhe motrat tua në Gaza dhe Nablus.
Ti je makinë nëse:
• Nuk ke dhembje për një grua të lodhur,
• Nuk ndihmon një vëlla në nevojë,
• Nuk ngushëllon një fqinj të pikëlluar,
• Nuk shfaq dhembshuri për një mik që ka zemrën e thyer.
Dhe mos harro:
Nuk do ta arrish kurrë destinacionin, nëse nuk e shtrin dorën për dikë që po pengohet në rrugën tënde të ngritjes, madje edhe nëse njerëzit thonë se e ke arritur qëllimin.
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















